OSBE dhe komuna e Prizrenit lansojnë Platformën Digjitale për Pjesëmarrje të Publikut
Kryetari Mytaher Haskuka dhe Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë Ambasadori Jan Braathu lansuan sot në Prizren Platformën Digjitale për Pjesëmarrje të Publikut, platformë Online që lidh qytetarët me institucionet lokale.
Platforma, e financuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, është aplikacion me bazë digjitale për të rritur pjesëmarrjen e publikut. Ajo u mundëson qytetarëve që të ngritin problemet përmes internetit, të shprehin nevojat e prioritetet, dhe të kërkojnë zgjidhje nga komunat e tyre në mënyrë proaktive. Platforma u siguron zyrtarëve komunal një mënyrë për t'iu bashkuar diskutimeve, transmetuar mendimin ose politikën zyrtare, dhe për të bashkëpunuar me qytetarët në mënyrë produktive.
”Qytetaria aktive është thelbësore për zhvillimin e institucioneve demokratike, transparente dhe të përgjegjshme. Besojmë se qasja në internet e bën platformën digjitale mjet shumë të përshtatshëm në këtë kohë dinamike në të cilën po jetojmë dhe do të inkurajojë pjesëmarrjen e publikut në proceset e vendimmarrjes dhe bërjes së politikave,” tha Ambasadori Braathu.
"Duke pasur parasysh rëndësinë e respektimit të aspektit gjuhësor në pjesëmarrjen e publikut, jemi gjithashtu të kënaqur që përveç gjuhës shqipe dhe serbe, platforma do të jetë në dispozicion edhe në gjuhën turke, duke u dhënë mundësi banorëve nga ky komunitet që ta përdorin platformën në gjuhën e tyre amtare."
Prizreni është komuna e tretë që shfrytëzon platformën digjitale. Prishtina dhe Gjakovë ishin dy komunat e para që e lansuan atë në vitin 2016, dhe që atëherë, kanë pasur afërsisht 32,500 vizita dhe mbi 830 kërkesa dhe propozime, nga të cilat 39% janë zgjidhur.
Platforma pritet të lansohet së shpejti edhe në Junik e Kamenicë.
Për ta vizituar Platformën Digjitale për Pjesëmarrjen e Publikut, klikoni këtu: www.platformadigjitale.com