Misioni i OSBE-së trajnon Policinë e Kosovës për identifikimin e dhunës në familje
Misioni i OSBE-së në Kosovë përmbylli një kurs pesëditor të ‘trajnimit të trajnerëve’ me temë identifikimin e dhunës në familje për njësitë e policisë në bashkësi. Ky kurs u mbajt nga 27 deri 31 gusht në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri.
Kursi kishte në fokus indikatorët e hershëm siç janë dëshmitë fizike dhe shenjat psikologjike të viktimave; reagimi i parë i policisë dhe asistenca për viktimat e dhunës në familje dhe abuzimit seksual; si dhe ofrimi i sigurisë për policët dhe viktimat e përfshira.
“Lufta kundër dhunës në familje është prioritet i Misionit”, tha Kilian Wahl, Zëvendësshef i Misionit të OSBE-së në Kosovë. “Parandalimi është vendimtar për të siguruar ulje efektive të rasteve të dhunës në familje. Ne mbështesim Policinë e Kosovës në zgjerimin e njohurive dhe shkathtësive të zyrtarëve policorë në aspektin e parandalimit. Kjo do të mundësojë identifikim të duhur të indikatorëve të hershëm të dhunës në familje dhe reagim para se të ndodhë diçka”.
Ramadan Krasniqi, rreshter i policisë, tha se ky kurs ishte mundësi e shkëlqyer për të mësuar qasje të reja në trajtimin e rasteve të dhunës në familje. “Së bashku me aktivitete të tilla trajnuese në të ardhmen, duhet të përqendrohemi edhe në ndërgjegjësimin e opinionit publik mbi dhunën në familje dhe rritjen e bashkëpunimit tonë me ta për të minimizuar këtë fenomen negativ”.
Pas këtij kursi, pjesëmarrësit do të bëhen trajnerë të certifikuar dhe do të zhvillojnë kurse të ngjashme trajnimi për policët e tjerë të patrullimit në stacionet e tyre policore.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të komuniteteve, si dhe demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Misioni rregullisht ofron kurse trajnimi të avancuara dhe të specializuara për agjencitë e zbatimit të ligjit për të përmirësuar më tej kapacitetet e tyre.