Misioni i OSBE-së ndihmon në ndërtimin e koalicioneve të të rinjve kundër ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë
Edicioni i parë i trajnimit të organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë për aktivistë të rinj të komunitetit, me titull “Liderët kundër mostolerancës dhe ekstremizmit të dhunshëm (LIVE)” përfundoi më 29 qershor 2018 në Prishtinë.
Ky trajnim, i përbërë nga dy module të mbajtura në prill dhe qershor, kishte në fokus zhvillimin e shkathtësive të pjesëmarrësve në njohjen dhe të kuptuarit e çështjeve që kanë të bëjnë me ekstremizmin dhe radikalizmin e dhunshëm që çon në terrorizëm (ERDHÇT), ndërtimin e rezistencës dhe formulimin e kundërmesazheve për të dënuar dhe delegjitimuar ekstremizmin. Gjithashtu, trajnimi kishte për qëllim edhe promovimin e narrativave alternative pozitive dhe mundësive për ndryshim.
“Ekstremizmi dhe radikalizmi i dhunshëm është problem që prek shumë njerëz në botë sot, në forma dhe mënyra të ndryshme. Trajnimi LIVE ndihmon gratë dhe burrat e rinj të Kosovës për t’i identifikuar të gjitha format e ERDHÇT që mund të ekzistojnë në komunitetet e tyre lokale, t’i adresojnë ato në mënyrë adekuate dhe të zhvillojnë aktivitete për parandalimin e tyre në nivel lokal”, tha Oliver Schuett, Shef i Seksionit të Pjesëmarrjes Publike në Misionin e OSBE-së në Kosovë.
Pritet të mbahen edhe tri edicione të tjera të trajnimit LIVE. I dyti dhe i treti, po ashtu për individë të rinj dhe anëtarë të organizatave të shoqërisë civile, do të mbahen në korrik/shtator dhe tetor/dhjetor, ndërsa edicioni i katërt, për nëpunësit civilë dhe punonjësit e institucioneve të Kosovës, është planifikuar për tremujorin e parë të vitit 2019. Pas përfundimit të këtyre katër serive të trajnimeve, gjithsej 60 të rinj do të pajisen me veglat dhe aftësitë e nevojshme për të parandaluar dhe luftuar ekstremizmin e dhunshëm.
Pjesëmarrësit gjithashtu do të zhvillojnë dhe zbatojnë iniciativa në nivel lokal, duke adresuar dhe parandaluar çështjet specifike të ERDHÇT me të cilat përballen komunitetet e tyre lokale.
Iniciativa e trajnimit LIVE është pjesë e angazhimeve të OSBE-së për të luftuar ERDHÇT bazuar në Deklaratën e saj mbi Parandalimin dhe Kundërshtimin e ERDHÇT të miratuar në vitin 2015, e cila u bën thirrje strukturave ekzekutive të organizatës që të “forcojnë rolin e shoqërisë civile, grave, të rinjve dhe prijësve fetarë” në përpjekje për të parandaluar dhe luftuar ERDHÇT.
Programi LIVE në Kosovë është iniciativa e parë e tillë e zbatuar nga një mision i OSBE-së, me fonde nga qeveria norvegjeze.