Misioni i OSBE-së në Kosovë organizon edicionin e tretë të Turnirit të basketbollit për juniorë
Misioni i OSBE-së në Kosovë organizon edicionin e tretë të turnirit të basketbollit për juniorë nga 25 deri 30 qershor 2018 në Qendrën Rekreative në parkun e Gërmisë në Prishtinë.
Këtë vit, 45 basketbollistë të rinj të moshës 12 deri 16 vjeçe, përfaqësues të komuniteteve të ndryshme dhe klubeve të të rinjve të basketbollit nga Gjakova, Prishtina, Prizreni dhe Shtërpca, do të stërviten dhe ushtrojnë së bashku, duke praktikuar teknika të ndryshme të basketbollit nën mbikëqyrjen e trajnerëve të akredituar.
Krahas lojës së basketbollit, pjesëmarrësit gjithashtu do të marrin pjesë në punëtoritë tematike që kanë për qëllim nxitjen e dialogut, tolerancës, mirëbesimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë midis të rinjve. Punëtoritë do të mbulojnë temat e të drejtave të njeriut, dialogut ndërkulturor, çështjeve gjinore dhe përfshirjes sociale. Ato do të ofrohen nga ekspertë të fushatës Know Your Rights, Pl4y International, Rrjetit të Edukatorëve Bashkëmoshatarë (PEN) dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka organizuar Turnirin e basketbollit për juniorë që nga viti 2016 me mbështetjen bujare të Komunës së Prishtinës. Deri më tani pjesë e turneut ishin më shumë se 200 basketbollistë nga shkolla të basketbollit nga komuna të ndryshme të Kosovës.