OSBE përmbyll serinë e trajnimeve rreth luftimit të trafikimit me njerëz për oficeret e Policisë së Kosovës
Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe Shoqata e Grave në Policinë e Kosovës organizuan trajnim tre-ditor për trajnues me temë luftimin e trafikimit me njerëz për zyrtaret e larta të Policisë së Kosovës. Trajnimi, në të cilin morën pjesë 25 oficere, duke përfshirë togere dhe rreshtere nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Njerëz dhe njësi tjera brenda Policisë së Kosovës, u mbajt nga data 21 deri më 23 mars 2018 në Ohër, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë.
Qëllimi i këtij trajnimi ishte rritja e shkathtësive të zyrtareve të policisë për udhëheqjen e hetimeve të rasteve të trafikimit. Gjithashtu gjatë këtij trajnimi u shqyrtua roli i mekanizmave referues në identifikimin dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit, trafikimi me njerëz si vepër penale me bazë gjinore, sfidat në trajtimin e tij, si dhe fokusi në viktima gjatë identifikimit.
"Luftimi i trafikimit me njerëz është një nga çështjet më të vështira dhe komplekse në çdo shoqëri, prandaj, është me rëndësi të madhe që të rritet shkathtësia e zyrtarëve të policisë, e veçanërisht oficereve femra, për të punuar në parandalimin, identifikimin dhe luftimin e trafikimit me njerëz," tha Shpresa Mulliqi, nga Misioni i OSBE-së në Kosovë.
"Përmes mësimit për teknikat e planifikimit, përgatitjes dhe kryerjes së intervistave me të rritur dhe fëmijë që janë viktima të trafikimit, dhe përmes përgatitjes së trajnueseve të cilat do të ofrojnë trajnime të ngjashme për policët tjerë, Misioni po ndihmon policinë të forcojë kapacitetet, gjë që do të kontribuojnë drejtpërsëdrejti në parandalimin dhe luftimin e trafikimit me njerëz,” shtoi ajo.
Ky është moduli i tretë dhe i fundit i trajnimit në tri faza mbi trafikimin me njerëz, organizuar nga Misioni. Pjesëmarrëset, trajnere të ardhshme në këtë temë, u përzgjodhën pas një vlerësimi nga ekspertët vendorë dhe ndërkombëtarë të fushës dhe pas përfundimit të modulit të parë dhe të dytë të mbajtur në 2017.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të komuniteteve, si dhe demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Ai rregullisht ofron kurse trajnimi të avancuara dhe të specializuara për agjencitë e zbatimit të ligjit për të përmirësuar edhe më tej kapacitetet e tyre.