Misioni i OSBE-së në Kosovë mbështet policinë dhe prokurorinë në trajtimin e krimeve të urrejtjes
Tetë rrjete regjionale monitorimi për regjistrim dhe hetim të krimeve të urrejtjes janë themeluar në mbarë Kosovën pas disa punëtorive të organizuara nga Misioni i OSBE-së në Kosovë nga data 2 deri 30 tetor 2017.
Rrjetet përbëhen nga hetues të policisë, zyrtarë policorë në bashkësi dhe prokurorë, të cilët do të punojnë bashkë për t’i trajtuar krimet e urrejtjes në mënyrë më efikase. Ato do të mundësojnë një qasje institucionale dhe të unifikuar me qëllim të identifikimit, regjistrimit dhe hetimit të duhur të krimeve të urrejtjes.
“Bashkëpunimi ndërmjet agjencive të zbatimit të ligjit është vendimtar për të parandaluar dhe luftuar kriminalitetin në përgjithësi, dhe krimet e urrejtjes në veçanti,” – tha Eduart Caka, zyrtar i lartë për monitorim të policisë pranë Misionit të OSBE-së në Kosovë. “Rrjetet monitoruese do ta rrisin bashkëpunimin midis agjencive, që do të rezultojë me një reagim më të mirë institucional ndaj kësaj dukurie. Misioni është i kënaqur të shohë se institucionet kanë njohuri të mira rreth asaj se çfarë përbën krim të urrejtjes dhe mirëpret faktin se është zbatuar rekomandimi i Misionit të OSBE-së për të përfshirë lëndën e krimit të urrejtjes në kurrikulat e trajnimit për kadetët e rinj të policisë.”
Punëtoritë kanë shërbyer edhe për rritjen e njohurive të pjesëmarrësve sa i përket përkufizimit të krimit të urrejtjes sipas Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) , specifikave të krimeve të urrejtjes krahasuar me veprat penale tjera, dhe rëndësinë e regjistrimit të këtyre rasteve të motivuara nga paragjykimet. Gjithashtu, atyre u janë prezantuar gjetjet dhe rekomandimet e një raporti të Misionit të OSBE-së të vitit 2016 lidhur me përmirësimin e regjistrimit të krimeve të urrejtjes, ku përfshihet edhe rekomandimi për themelimin e këtyre rrjeteve, si dhe janë njoftuar në lidhje me kuadrin ligjor të zbatueshëm dhe dispozitat e së drejtës ndërkombëtare që kanë të bëjnë me krimet e urrejtjes.
Misioni i OSBE-së në Kosovës ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të komuniteteve, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Misioni mbështetë agjencitë e zbatimit të ligjit përmes trajnimeve dhe punëtorive të specializuara për të rritur bashkëpunimin dhe bashkërendimin.