OSBE përfundon punëtorinë mbi përdorimin e mediave sociale për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit
Misioni i OSBE-së dhe Policia e Kosovës e përfunduan më 24 maj 2017, në Prishtinë, punëtorinë dyditore për përdorimin e internetit dhe mediave sociale për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit që çon në terrorizëm, të organizuar për përfaqësues të policisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme, grupeve fetare, gazetarë dhe studentë.
Punëtoria kishte për qëllim të ju siguronte pjesëmarrësve udhëzime rreth platformave të ndryshme të internetit dhe mediave sociale, mënyrën se si ato funksionojnë dhe si të gjenden. Punëtoria po ashtu kishte për qëllim forcimin e kapaciteteve të pjesëmarrësve në identifikimin e narrativave ekstremiste dhe për luftimin e tyre duke krijuar narrativë dhe alternativa pozitive dhe duke i përhapur ato.
“Interneti dhe mediat sociale janë vegla shumë të qasshme që mund t’i tërheqin të rinjtë në ekstremizëm të dhunshëm dhe mund të fillojnë procesin e radikalizimit,” tha John Gustavsson, këshilltar i lartë kundër krimit të organizuar i Departamentit të Misionit të OSBE-së për Siguri dhe Rend Publik. “Është shumë e rëndësishme për zyrtarët që punojnë në parandalim dhe luftimin e ekstremizmit, si dhe shoqërinë në përgjithësi, të dinë se si funksionojnë këto forume onlajn, si të komunikojnë direkt me ofruesit e platformave dhe të krijojnë kundër-mesazhe.”
Pjesëmarrësit e diskutuan nenin 147 të Kodit Penal të Kosovës që flet për nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik. Ata gjithashtu mësuan se si të reagojnë në mesazhet e papërshtatshme apo pavend, çfarë të bëjnë nëse ato janë kriminale në natyrën e tyre dhe si t’i raportojnë ato tek ofruesit e platformës dhe policisë.
Misioni i OSBE-së në Kosovë e ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Misioni rregullisht mundëson trajnime të avancuara dhe kurse trajnimi të specializuara për agjencitë e zbatimit të ligjit.