Misioni i OSBE-së në Kosovë punon me gratë e komuniteteve rom dhe ashkali për t’i përmirësuar politikat e nivelit lokal
Një punëtori e organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë për rreth 20 aktiviste rome dhe ashkali të organizatave të nivelit bazë dhe për organizatat e shoqërisë civile nga komuna e Gjilanit dhe Ferizajt lidhur me mënyrën e formësimit të politikave më të mira lokale në dobi të komuniteteve përfundoi më 3 maj 2017.
Vëmendje e posaçme ju kushtua mënyrave të përfshirjes së grave aktiviste nga këto komunitete në vendimmarrje dhe kontributit të tyre në planet komunale të veprimit. Këto plane rrjedhin nga “Strategjia për përfshirjen e komuniteteve rom dhe ashkali në shoqërinë e Kosovës 2017-2021,” të aprovuar rishtazi nga Qeveria dhe përfshijnë aspekte të rëndësishme siç është arsimi, punësimi, mirëqenia sociale, shëndetësia dhe banimi.
Pjesëmarrëset u pajtuan që mospërfshirja e grave në vendimmarrje është pasojë e arsimimit të dobët dhe e mundësive të kufizuara për punësim dhe sugjeruan që këto sfida të adresohen përmes intervenimeve të drejtuara nga institucionet.
“Nëse ne nuk e ngremë zërin, do të vazhdojmë të përballemi me problemet e njëjta gjithmonë,” tha Gyltene Osmani, aktiviste e komunitetit ashkali nga organizata jo-qeveritare BRAN.
Punëtoria përfundoi me një varg rekomandimesh për institucionet lokale që t’i përfshijnë gratë aktiviste në proceset të cilat ndikojnë në komunitetet e tyre dhe që vetë aktivistet të marrin rol më proaktiv.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka mandat t’i mbrojë dhe promovojë të drejtat e njeriut dhe ato të komuniteteve, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Përmes nismave dhe projekteve të përgatitura për këtë qëllim, Misioni ka për qëllim përmirësimin e pozitës së komuniteteve dhe pjesëmarrjen e tyre në jetën publike.