Misioni i OSBE-së njofton gratë police me detyrat e komandantëve operacional
Misioni i OSBE-së dhe Shoqata e Grave të Policisë së Kosovës kanë organizuar një trajnim pesë-ditor për zyrtaret e larta policore me temë përgjegjësitë e komandantëve operacional. Trajnimi, ku morën pjesë 14 police, përfshirë togere dhe rreshtere – shefe të njësive të ndryshme në Policinë e Kosovës – është mbajtur nga 13 deri më 17 mars 2017 në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) në Vushtrri.
Ky trajnim i hartuar në bazë të nevojave është mbajtur me qëllim që të fuqizojë gratë police, duke ju ndihmuar të zhvillojnë shkathtësi dhe kompetenca për pozita menaxheriale dhe udhëheqëse, dhe është përqendruar në detyrat dhe përgjegjësitë e komandantëve operacional.
“Komandantët operacional menaxhojnë situata të vështira dhe vendosin se si do të ndërmerret një operacion, kështu që është me rëndësi për këto gra që të mësojnë për secilin aspekt të punës së një komandanti operacional. Trajnimi ka qenë i dizajnuar që t’i pajis ato me shkathtësi të nevojshme për këtë pozitë si dhe me shkathtësi menaxheriale në përgjithësi,” tha Shpresa Muharremi nga Misioni i OSBE-së në Kosovë.
“Përkrahja e avancimit në karrierë të grave në sektorin e policisë është qenësore për një organizatë të zbatimit të ligjit të strukturuar mirë,” shtoi ajo.
Gjatë trajnimit, pjesëmarrëset shqyrtuan parimet e modeleve të vendimmarrjes për komandantë operacional; vendimet strategjike, operacionale dhe taktike të komandës; si të bashkëpunojnë me media dhe si të ndërtojnë raporte mirëbesimi me komunitete lokale. Ato mësuan edhe si të hartojnë plane operacionale për incidente të ndryshme dhe morën pjesë në simulime të bazuara në skenare.
Kjo është pjesa e dytë e trajnimit nga gjithsejtë tri pjesë, sa do të organizohen nga Misioni i OSBE-së. Pjesëmarrëset janë zgjedhur nga një grup më i gjerë që kanë ndjekur pjesën e parë të trajnimit për zhvillim të shkathtësive menaxheriale dhe udhëheqëse në 2016. Ato më tutje do të përkrahen përmes programeve të shkëmbimit me gra police në institucionet e sigurisë publike në rajon dhe më gjerë.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve, si dhe demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike, dhe rregullisht ofron trajnime të avancuara dhe specializuara për agjencitë e zbatimit të ligjit për të zhvilluar më tutje kapacitetet e tyre.