Nevojitet pjesëmarrje më e madhe e rinisë në vendimmarrje, thotë shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë
PRISHTINË, 13 nëntor 2012 – Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger, tha sot se nevojitet pjesëmarrje më e madhe e rinisë në vendimmarrje dhe krijim të politikave.
“Rinia në Kosovë ka filluar që të identifikojë nevojat dhe brengat e tyre dhe t’i diskutojë ato me institucione, duke përfshirje këshillat për veprim rinor të mbështetur nga OSBE”, tha Schlumberger. “Mirëpo, ne të gjithë duhet që të rrisim pjesëmarrjen e rinisë në një nivel më të lartë dhe t’i përfshijmë të rinjtë në proceset aktuale të vendimmarrjes duke ju dhënë atyre fjalën në planifikimin afatgjatë dhe krijimin e politikave”.
Schlumberger e ka mbajtur këtë fjalim në një konferencë të organizuar nga Misioni ku morën pjesë përfaqësuesit e 33 Këshillave Lokale për Veprim Rinor, dhe zyrtarët qeveritar të nivelit qendror dhe lokal të cilët shqyrtuan sukseset, identifikuan sfidat dhe definuan prioritetet për angazhim të rinisë në vitin 2013.
“Fakti që Këshillat tash rregullisht takohen me përfaqësuesit komunal dhe që shumë komuna ishin të gatshme të financojnë së paku disa aktivitete që kanë të bëjnë me rininë, është shenjë pozitive”, tha Schlumberger. “Gjithashtu jam i inkurajuar nga numri i aktiviteteve vullnetare të iniciuara dhe të zhvilluara nga këshillat për veprim rinor”.
“Në të njëjtën kohë, mund të bëhet më shumë që të rritet bashkëveprimi i rregullt mes institucioneve lokale dhe të rinjve përfaqësues, dhe për të përfaqësuar më mirë pikëpamjet dhe interesat e të rinjve në proceset e planifikimit dhe e buxhetit komunal.”
Schlumberger shtoi se OSBE do të vazhdojë të mbështesë këshillat dhe institucionet lokale në promovimin e pjesëmarrjes së rinisë dhe vullnetarizmin.
Misioni i OSBE-së është i mandatuar me promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, demokratizim dhe zhvillim të sektorit për siguri publike. Në fillim të vitit 2011 Misioni ka qenë nikoqir i një konference për fuqizim të rinisë. Po ashtu Misioni ka mbështetur themelimin e këshillave qendrore dhe lokale për veprim rinor dhe është i angazhuar në zhvillimin e mëtejmë të tyre.