Misioni i OSBE-së ndihmon policinë e Kosovës në identifikimin dhe hetimin e krimeve të urrejtjes
Një seri prej gjashtë punëtorish të mbajtura në mbarë Kosovën rreth identifikimit, hetimit dhe reagimit ndaj krimeve të urrejtjes për 90 oficerë të lartë të policisë së Kosovës përfshirë komandantët, zëvendësdrejtorët rajonalë dhe shefat rajonalë të operacioneve u përmbyll sot në Ferizaj.
Punëtoritë janë organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë.
“Krimet e urrejtjes definohen si krime të motivuara nga jotoleranca ndaj karakteristikave të viktimave qoftë gjuha, etniciteti apo raca, besimi politik apo fetar ose kultura e tyre. Si të tilla ato prekin të gjitha komunitetet”, tha Kirsten Joppe, shefe e Sektorit të Monitorimit të Sigurisë në Misionin e OSBE-së.
“Identifikimi, hetimi dhe ndjekja penale me kohë e krimeve të urrejtjes janë qenësore për të parandaluar përsëritjen dhe eskalimin e tyre. E tërë kjo kërkon aftësi dhe përkushtim të fuqishëm nga policia dhe gjyqësia”, shtoi Joppe.
Që nga fundi i vitit 2011, Misioni i OSBE-së në Kosovë ka trajnuar gjykatës, prokurorë dhe oficerë të policisë të linjës së parë se si t’i adresojnë krimet e urrejtjes. Përveç kësaj, një kurs i organizuar nga OSBE rreth luftimit të krimeve të urrejtjes është përfshirë trajnimin bazë të policisë që bëhet në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike.
Misioni i OSBE-së në Kosovë është i mandatuar me mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokracinë dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike.