Misioni i OSBE-së në Kosovë bën thirrje për përmirësime në regjistrimin civil të komuniteteve të cenueshme
Prishtinë, 24 korrik 2012 – Komunitetet e cenueshme në Kosovë përballen me vështirësi në regjistrimin civil, gjë që vazhdon të pengojë përfshirjen e tyre në shoqëri, thotë një raport i OSBE-së i publikuar sot.
Përderisa institucionet e Kosovës në vitet e fundit kanë përmirësuar kornizën ligjore dhe kanë rritur numrin e zyrave të regjistrimit civil gjatë periudhës raportuese, financimi, resurset logjistike dhe njerëzore jo adekuate të alokuara në këto zyra e kufizojnë funksionimin e mirëfilltë të mekanizmit. Barrierat gjuhësore dhe mungesa e udhëzimeve rreth dokumenteve të kërkuara për regjistrimin civil paraqesin pengesa shtesë.
“Nëpërmjet regjistrimit civil, një person identifikohet dhe njihet si pjesë e shoqërisë dhe është në gjendje të ushtrojë të drejtat e veta dhe të ketë qasje në arsim, shëndetësi dhe punësim”, tha Ambasadori Werner Almhofer, shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë. “Është shumë e rëndësishme që secilit individ t’i garantohet qasja në regjistrim civil”.
Për ta përmirësuar pajtueshmërinë me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, raporti i OSBE-ë u rekomandon institucioneve të Kosovës që të alokojnë resurse adekuate në zyrat e regjistrimit civil, shtrirje te komunitetet e cenueshme, dhe që të sigurojnë tarifa të regjistrimit të përballueshme me kriteret e vendosura qartë. Institucionet gjithashtu inkurajohen që të fillojnë praktikën e shpalljes së një muaji gjatë vitit për regjistrim pa pagesë.
Misioni i OSBE-së në Kosovë është i mandatuar për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Misioni mbështet përfshirjen në shoqëri të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.
Raporti mund të gjendet në: //www.osce.org/sq/kosovo/92332