Misioni i OSBE-së në Kosovë ndihmon në përmirësimin e funksionimit të Këshillave Komunal për Siguri në Bashkësi
Përfaqësues të ministrive të punëve të brendshme, administrimit të pushtetit lokal, ekonomisë dhe financave si dhe akterë të tjerë kanë rishikuar dhe finalizuar udhëzimin e ri administrativ për Këshillat Komunal për Siguri në Bashkësi gjatë një punëtorie të mbajtur me përkrahjen e OSBE-së nga data 25 deri më 27 qershor 2012 në Durrës të Shqipërisë.
Këshillat për Siguri përbëhen nga përfaqësues të policisë, institucioneve komunale, komuniteteve etnike dhe fetare dhe shoqërisë civile dhe këshillojnë komunat për çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë publike.
Udhëzimi i ri administrativ i përfunduar gjatë punëtorisë e definon rolin mbikëqyrës të ministrive, procedurën e caktimit të anëtarëve të këshillave përmes kuvendeve komunale dhe skemën për kompensimin financiar për punën e tyre.
“Ky është një ndryshim me rëndësi, i cili do të çoj drejtë përmirësimeve në funksionimin e këshillave,” tha Tinatin Bezhanishvili nga Departamenti për Siguri Publike në Misionin e OSBE-së në Kosovë. “Udhëzimi i rishikuar i institucionalizon edhe më tej këshillat si dhe ofron bazë ligjore më të fortë për zhvillimin e tyre të mëtutjeshëm.”
Udhëzimi administrativ i rishikuar do të hyj në fuqi sapo të aprovohet nga ministritë përkatëse.
Misioni i OSBE-së punon për përforcimin e sektorit të sigurisë publike në Kosovë. Misioni po ashtu u ofron ndihmë dhe ngritje të kapaciteteve agjencive për siguri publike dhe mbështet implementimin e konceptit të policisë në komunitet.