Misioni i OSBE-së në Kosovë promovon fuqizimin e gruas në vendim marrjen politike
Një konferencë dyditore e mbështetur nga OSBE për fuqizimin e gruas në vendim marrje për më shumë se 70 përfaqësuese të grupeve parlamentare të grave të Kuvendit të Kosovës dhe asambleve komunale, partive politike, Agjencisë për Barazi Gjinore si dhe për agjencitë vendore dhe ndërkombëtare që merren me çështje gjinore, përfundoi në Prishtinë më 23 qershor 2012.
Pjesëmarrësit në konferencë miratuan një sërë rekomandimesh konkrete të cilat, mes tjerash, bëjnë thirrje për aplikim të kuotës së 30 përqindëshit të përfaqësimit gjinor edhe në kryesitë e partive si dhe vendosjen e një linje të veçantë buxhetore nëpër komuna për grupet e grave këshilltare dhe aktivitetet e tyre.
Për më tepër, Misioni i OSBE-së në Kosovë premtoi mbështetjen për grupet e grave në shqyrtimin dhe përmirësimin e mëtejmë të Ligjit për Barazi Gjinore dhe për të ndihmuar rritjen e vetëdijesimit për buxhetimin në aspektin gjinor nga institucionet qendrore dhe lokale. Në këtë drejtim, Misioni i OSBE-së do ta hartojë një listë të plotë rekomandimesh dhe do t’i shpërndajë ato te grupet e grave në nivelin qendror dhe lokal për të shërbyer si udhërrëfyes për përpjekjet avokuese në të ardhmen.
Misioni i OSBE-së në Kosovë është i mandatuar për ndërtimin e demokracisë dhe mbrojtjen e promovimin e të drejtave të njeriut. Misioni ndihmon në themelimin dhe zhvillimin e grupeve të grave si dhe në rritjen e pjesëmarrjes së gruas në proceset e vendim marrjes.