OSBE ndihmon komunat që të rrisin pjesëmarrjen e publikut në hartimin e buxhetit
Nga data 12 deri 15 qershor 2012, Misioni i OSBE-së në Kosovë po organizon një vizitë studimore në Gjermani për përfaqësues të pesë komunave dhe të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal. Qëllimi i kësaj vizite është që të ndihmohen komunat të rrisin nivelin e pjesëmarrjes së publikut dhe përgjegjësinë ndaj aspektit gjinor në procesin e planifikimit të buxhetit.
Misioni ka identifikuar Fushë Kosovën, Gllogocin, Kamenicën, Mitrovicën dhe Vushtrrinë si komunat me performansë më të mirë në Kosovë në këto çështje. Vizita po organizohet si mirënjohje për përpjekjet e tyre të deritanishme dhe synon të promovojë një nivel edhe më të lartë të arritjes.
“Këto pesë komuna kanë arritur afatet e caktuara dhe kanë mbajtur dëgjime publike për buxhetin të organizuara nga strukturat legjislative dhe ekzekutive,” tha Stefan Scheer, ushtrues detyre i Sektorit për Pushtet Lokal në Misionin e OSBE-së në Kosovë. “Për më tepër, ato i janë përmbajtur kërkesave ligjore dhe kanë siguruar që procesi i planifikimit të buxhetit është mbikëqyrur si duhet nga kuvendet komunale”.
Vizita studimore në Bon, Gjermani, do t’iu ofrojë komunave dhe ministrisë mundësi që të mësojnë për praktikat më të mira evropiane në planifikimin e buxhetit dhe do t’iu ndihmojë atyre që të përfshijnë praktikat e përgjegjësisë ndaj aspektit gjinor në procesin e planifikimit të buxhetit për vitin 2013.
Pas vizitës studimore, Misioni i OSBE-së do të organizojë trajnime të mëtejme me fokus në përgjegjësinë ndaj aspektit gjinor për komunat dhe organizatat e shoqërisë civile në Kosovë.
OSBE-së ka për mandat demokratizim, promovim dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Misioni ndihmon komunat për reformim në vijë me Kartën Europiane të Vetëqeverisjes Lokale dhe ngritje të transparencës, llogaridhënies dhe pjesëmarrjes së publikut në procesin e vendimmarrjes.