Misioni i OSBE-së ndihmon përmirësimin e arsimimit në gjuhën boshnjake
Një përpjekje e mbështetur nga OSBE për të zgjeruar bazën e ligjëruesve të kualifikuar universitarë në gjuhën boshnjake dhe për të ndihmuar ruajtjen e shkollimit në gjuhën dhe kulturën boshnjake në Kosovë ka filluar që të jap rezultate të mira.
Muljaim Kaćka është një ligjërues i ri i letërsisë boshnjake në Fakultetin e Edukimit në Prizren. Ai ka filluar të punojë në shkurt të vitit 2012 pasi që ka diplomuar në programin master në gjuhën dhe letërsinë boshnjake në Universitetin e Tuzllës në Bosnje dhe Hercegovinë.
Shkollimin e Kaćkës dhe dy studentëve tjerë boshnjakë të Kosovës e ka sponzoruar Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe Universiteti i Prishtinës.
Adresimi i boshllëqeve të identifikuara
Misioni i OSBE-së ka filluar që të prekë çështjet e arsimit të lartë në gjuhën boshnjake në vitin 2008, kur ishin identifikuar boshllëqet e para më të mëdha, siç ishin mungesa e ligjëruesve permanent të kualifikuar, mësimdhënësve asistentë dhe stafit mbështetës, si dhe metodat e vjetruara të mësimdhënies.
Francesco Bigagli, Shef i Njësisë së Misionit të OSBE-së për Rini dhe Arsim të Lartë, thotë që si komuniteti i dytë më i madhi jo-shqiptar, boshnjakët e Kosovës kanë pasur vetëm mbështetje të jashtme të papërfillshme në fushën e edukimit – një situatë që tash ka ndryshuar.
Fillimisht asistenca ka përshirë zhvillimin e lidhjeve mes fakulteteve në Prizren dhe në Bosnje dhe Hercegovinë, dhe ka ofruar këshilla se si të modernizohen programet ekzistuese.
Kah fundi i vitit 2009, Misioni ka blerë pajisje për video konferencë dhe një shumëllojshmëri të madhe të librave universitar si dhe literaturë që iu ka mundësuar studentëve në Prizren të përcjellin ligjëratat e mbajtura nga universiteti i Sarajevës, Tuzllës dhe Mostarit përderisa ka lehtësuar ligjëratat me profesorë që kanë ardhur nga Bosnja dhe Hercegovina.
Çka është më me rëndësi Misioni i ka ofruar Kaćkes arsimim që tash ia mundëson atij që të jap mësim, ndërsa edhe dy kandidatët tjerë duket se do të kenë mundësi të ndjekin të njëjtën rrugë.
Kanë ndodhur ndryshime
Alem Šukurija është një nga 250 studentët boshnjak të Kosovës që i ndjekë mësimet në pesë departamente të universitetit në Prizren. Ai është student i rregullt, edhe pse që të shkojë dhe kthehet nga Peja për në Prizren i duhet të udhëtojë 150 kilometra.
“Unë mendoj që tash kemi kushte më të mira se sa përpara. Kemi më shumë mësimdhënës nga këtu por edhe profesorë që vijnë nga Bosnja dhe Hercegovina, si dhe ligjërata online. Ne nuk humbim mësime më”, tha Šukurija.
Shtylla për të ardhmen
Kaćka mendon që fakulteti ku ai jep mësim paraqet një shtyllë për të ardhmen e arsimit për komunitetin boshnjak në Kosovë. “Të qenit pjesë e kësaj shtylle është një përgjegjësi e madhe”, tha ai.
Përveç ndihmës në fakultetin e edukimit në Prizren për të ndihmuar strukturën e stafit, Misioni po ashtu ndihmon fakultetin për të ofruar trajnime për mësimdhënësit e shkollës fillore dhe të mesme të cilët japin mësim në gjuhën boshnjake.
“Përshtatja e Misionit për qasje të trajnimit për trajnerë është më shumë efektiv kur ka të bëjë me numër më të madh të mësimdhënësve dhe kur bëhen përpjekje që të sigurohet qëndrueshmëria afatgjate për zhvillim të mëtejmë”, tha Bigagli.
Mbështetja të vazhdojë
Sipas Bigaglit, sfida e arsimit në gjuhën boshnjake është larg nga përfundimi. Ai thotë që programet për parashkollorë dhe për shkollë fillore në gjuhën boshnjake ende nuk janë të qëndrueshme për shkak të besimit të madh në stafin e jashtëm, dhe mungesës së programeve për të diplomuarit për mësimdhënës në gjuhët joshqiptare.
Megjithatë ai thotë se OSBE planifikon që të vazhdojë mbështetjen e shkollimit për mësimdhënës me theks të veçantë për programet për komunitete joshqiptare.
Kaćka beson që duke i ndihmuar atij në përmirësimin e arsimimit në gjuhën boshnjake, OSBE dhe Universiteti i Prishtinës do t’iu ndihmojë qindra studentëve nga të tanishmit dhe të ardhshmit.
Sidoqoftë, ai nuk dëshiron të jetë boshnjaku i fundit i Kosovës që ka përfituar nga kjo asistencë. “Komuniteti im ka nevojë që kjo mbështetje të vazhdojë”, thotë ai.