Misioni i OSBE-së lanson linjën për ndihmë për viktimat e trafikimit dhe dhunës në familje në Kosovë
Prishtinë, 18 tetor 2011 – Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe Ministria e Punëve të Brendshme kanë lansuar sot një linjë të re telefonike për ndihmë kundër trafikimit dhe dhunës në familje.
Linja për ndihmë falas “0800 1111 2” do të shërbejë si pikë kryesore e kontaktit për viktimat e trafikimit me qenie njerëzore dhe dhunës në familje dhe si burim informacioni për të gjithë faktorët, përfshirë edhe publikun e përgjithshëm.
“Një linjë për ndihmë është një nga mënyrat për të siguruar se viktimat e trafikimit me qenie njerëzore dhe të dhunës në familje janë të identifikuara në mënyrë të duhur dhe i janë referuar institucioneve relevante për asistencë dhe mbrojtje,” tha Susan Heintz, Ushtruese e Detyrës së Shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë.
Misioni ka pajisur dhomën operative të linjës për ndihmë dhe ka trajnuar operatorët kurse tani është duke e mbështetur një fushatë vetëdijesimi rreth linjës për ndihmë dhe shërbimeve që ajo ofron.
Zëvendës Ministri i Punëve të Brendshme, njëherit Koordinator Qeveritar Kundër Trafikimit Saša Rašić tha: “Institucionet e Kosovës janë të vendosura në luftimin e trafikimit me qenie njerëzore dhe në ofrimin e asistencës për viktimat e këtij fenomeni. Veç kësaj, prioriteti ynë është sjellja para drejtësisë e të gjithë kryesve të veprave të dhunës”.
Misioni i OSBE-së në Kosovë është i mandatuar me mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut. Ai mbështet përpjekjet e institucioneve vendore në implementimin e plotë të Strategjisë dhe Planit të Veprimit Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore.