Misioni i OSBE-së bën thirrje për zbatim të plotë të vendimeve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës
Prishtinë, 14 Tetor 2011 – Zëvendësi Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Edward Joseph u bëri thirrje sot institucioneve të Kosovës që t’i zbatojnë në tërësi vendimet e Këshillit të Pavarur Mbikqyrës të Shërbimit Civil.
Këshilli është një trup kuazi-gjyqësor i ngarkuar për të gjykuar ankesat në praktikat e punësimit, shkarkimit apo promovimit brenda shërbimit civil të Kosovës. Vendimet e tij janë përfundimtare dhe ligjërisht të detyrueshme. Megjithatë, shkalla e zbatimit të vendimeve të tij nga institucionet e Kosovës arrin në 60 përqind.
“Zbatimi i vendimeve të Këshillit kërkohet nga korniza e aplikueshme ligjore në Kosovë dhe të gjitha institucionet duhet të jenë tërësisht në pajtim me to”, tha Joseph. “Dështimi për t’i ekzekutuar vendimet e Këshillit vë në pikëpyetje integritetin e institucionit dhe zvogëlon besimin e publikut. Misioni OSBE-së mbështet Këshillin në ngritjen e vetëdijesimit për çështjen ndërmjet institucioneve të Kosovës”.
Këshilli proceson rreth 150 ankesa të pranueshme gjatë një viti, shumica prej tyre kanë të bëjnë me akuzat për shkarkim të padrejtë nga puna dhe nepotizëm.
Kryesuesi i Këshillit Mehdi Geci tha: “Sfida më e madhe me të cilën përballet Këshilli është mosekzekutimi i vendimeve tona nga ana e institucioneve. Synimi ynë është ta rrisim nivelin e zbatimit dhe t’i mbrojmë shërbyesit civilë të drejtat e punës së të cilëve shkelen padrejtësisht”.
Më shumë se 20.000 veta punojnë si shërbyes civil në Kosovë, shumica si staf administrativ nëpër komuna, ministri, sekretariat të Kuvendit të Kosovës dhe agjenci të pavarura.
Misioni i OSBE-së në Kosovës është i mandatuar me promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit, si dhe me zhvillimin e institucioneve demokratike. Ky Mision e mbështet punën e institucioneve të pavarura, përfshirë edhe Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, Ombudspersonin dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.