OSBE ndihmon vlerësimin e reformës së qeverisjes lokale në Kosovë
Një punëtori për vlerësimin e reformës së qeverisjes lokale në Kosovë, e organizuar nga Misioni i OSBE-së, përfundoi më 18 qershor në Mavrovë të Ish- Republikës Jugosllave të Maqedonisë.
Ngjarja u përcoll nga 19 kryetarë të komunave, pesë ministri relevante përfshirë Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, Financave, Punës dhe Mirëqenies Sociale, Zhvillimit Ekonomik dhe Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe nga përfaqësues të Asociacionit të Komunave të Kosovës.
Pjesëmarrësit diskutuan progresin e arritur gjatë vitit të kaluar në transferin e kompetencave dhe ushtrimin e tyre nga ana e komunave.
“Ne u pajtuam që riorganizimi territorial, siç është ilustruar nga ana e ish-pilot njësive komunale, mund të konsiderohet i suksesshëm”, tha Besnik Osmani, Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal. “Megjithatë nevojiten përpjekje shtesë kur bëhet fjalë për dispozita të shërbimeve të mirëqenies dhe menaxhimin e resurseve pyjore nga ana e komunave të cilat tani kanë pronësi të plotë ndaj këtyre kompetencave”, shtoi ai.
Pjesëmarrësit, përfshirë edhe përfaqësues të Misionit të OSBE-së, theksuan se resurset njerëzore dhe kapacitetet e kufizuara, si dhe harmonizimi dhe zbatimi i legjislacionit, janë ndër sfidat e mbetura për komunat në ushtrimin e plotë të kompetencave të transferuara.
“Një dialog i vazhdueshëm mes nivelit qendror dhe atij lokal për t’i zgjidhur këto çështje mbetet komponent kryesor i vazhdimit të reformës së pushtetit lokal në Kosovë”, tha Wilma Theuws, Drejtoreshë e Departamentit për Demokratizim e Misionit të OSBE-së në Kosovë. “OSBE do të vazhdojë të mbështesë reformën e qeverisjes lokale në linjë me Kartën Evropiane të Vetë-Qeverisjes Lokale dhe në interesin më të mirë të banorëve të Kosovës”, shtoi ajo.