OSBE ndihmon bashkëpunimin rajonal në luftë kundër trafikimit të substancave narkotike
Bahriu është një shqiptar kosovar i cili jeton në Prishtinë dhe punon për policinë e Kosovës. Sasho është një maqedonas i cili jeton në Shkup ku edhe punon si polic. Ata flasin gjuhë të ndryshme, por kanë qëllime të përbashkëta: të ndihmojnë në krijimin e një ambienti të lirë nga kërcënimi i trafikimit me drogë.
Bahri Shala është Shef i drejtorisë për hetimin e trafikimit të narkotikëve në policinë e Kosovës dhe Sasho Trpcevski është Zëvendësdrejtor i njësisë kundër trafikimit me narkotik në policinë e ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë.
Bahriu shpjegon se Kosova dhe ish Republika Jugosllave e Maqedonisë kryesisht shfrytëzohen si vende traziti me narkotik në rrugë për vendet e Evropës perëndimore, dhe shton: “Kjo mund të ndalet vetëm me bashkëpunim të ngushtë rajonal”.
Tregtimi ndërkombëtar me drogë është kompleks, prandaj Bahriu dhe Sasho janë të vetëdijshëm për sfidat që kanë përpara, por ata shpresojnë se me kohën gjërat do të përmirësohen. “Ne ende duhet të punojmë në përfitimin e përvojave të reja dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale, por vendosja e mirëbesimit reciprok është shumë më i rëndësishëm”, thotë Bahriu. “Bashkëpunimi rajonal nuk mund të ndodhë nëse e shohin njëri tjetrin mes gishtrinjëve”.
“Në hetime të përbashkëta ndërkombëtare mund të punohet vetëm në bazë të besimit të ndërsjellë”, konfirmon Sasho. “Sa më tepër që shkëmbejmë informata me njëri tjetrin aq më shume e shtojmë besimin”.
Besimi me rëndësi
Një ushtrim me ngarkesa të kontrolluara ishte një mundësi e shkëlqyeshme për Bahriun dhe Sashon që për herë të parë të punojnë së bashku. ‘Ngarkesat e Kontrolluara’ kanë të bëjnë me një operacion ku policia monitoron furnizimin dhe dërgimin e substancave ilegale me qëllim të mbledhjes së të dhënave dhe informatave për të siguruar një akuzë të suksesshme.
Kur kemi të bëjmë me tregtimin ndërkombëtar të drogës kërkohet bashkëpunim dhe besueshmëri e madhe, meqë policia duhet t’i vëzhgojë kriminelët, ti lejojë ata të kalojnë nëpër kufij ndërkombëtar të pa penguar me qëllim që operacioni të kompletohet.
Kjo jo vetëm që kërkon besim në mes të qeverive dhe forcave policore por gjithashtu vullnet të mirë për të punuar së bashku në rrethana të vështira. OSBE si organizatë bashkëpunuese në fushën e sigurisë ka shkathtësinë dhe përvojën e nevojshme për të ndihmuar.
Ushtrimi ngarkesat e kontrolluara është hartuar dhe financuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe ka përfunduar në Prishtinë më 11 maj 2011. “Ishte si një test nëse jemi të përgatitur të bashkëpunojmë në luftën kundër trafikimit me substanca narkotike”, shpjegon Sasho.
Projekt koordinatori nga OSBE-ja Ibrahim Gultekin thotë se operacionet e ngarkesave të kontrolluara synojnë t’i bashkojnë agjencitë e ndryshme të zbatimit të ligjit në luftë kundër rrjetit të trafikimit. “Shkëmbimi i informatave dhe drejtimi i operacioneve të përbashkëta në nivel rajonal është element kyç për sukses”, thotë Ibrahim.
Sipas Ibrahimit, ushtrimi praktik ka përfshirë gjithsejtë shtatë agjenci të zbatimit të ligjit në nivel rajonal. “Kishte për qëllim të vlerësojë mekanizmat e bashkëpunimit rajonal, identifikojë të metat dhe ofrojë rekomandime konkrete se si te hetohet dhe luftohet më mirë trafikimi me drogë”, shton ai.
Ai më tutje shpjegon skenarin në detaje: Një veturë me një ngarkesë që përngjante në një substancë të dyshimtë, fillon rrugëtimin e vet nga Turqia përmes Bullgarisë dhe ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë për në një vend shitje dhe shpërndaje në Kosovë. Nga aty është shpërndarë më tutje në një pikë tjetër shitjeje në Mal të Zi përmes Shqipërisë dhe dërguar në Gjermani me anë të linjës ajrore përmes Sllovenisë.
“Gjatë këtij ushtrimi praktik policia e Kosovës u dëshmua si një polici e besueshme dhe partnere e kualifikuar për bashkëpunim me policinë ndërkombëtare”, thotë Ibrahimi.
Rezultatet e bashkëpunimit
“Ushtrimi ka treguar se shkëmbimi i informatave është esencial në luftë kundër trafikimit me drogë”, thotë Drejtori i Misionit të OSBE-së për mbrojtje dhe siguri publike Carsten Twelmeier. “Prandaj ne rekomanduam themelimin e një mekanizmi për komunikim të brendshëm të policisë së Kosovës, për të siguruar shpërndarjen e informacioneve të duhura”.
Shkathtësitë e përfituara gjatë ushtrimit u vunë në zbatim praktik shumë shpejtë. Pas disa javë hetimesh të bëra, policia e Kosovës ndërmori një operacion të vërtetë në disa fshatra të Kosovës. Ky operacion u ndërmor në bashkëpunim të ngushtë me policinë e ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë.
Sipas raportit të policisë 17 persona u arrestuan. “Gjatë këtij operacioni të kontrollit ne kemi kapur 47 kilogram marijuana, dy vetura dhe dy peshore digjitale”, konfirmon Bahriu. “Unë shpresoj se kjo do na shërbej si një shembull i mirë që edhe më tutje ta forcojmë bashkëpunimin me të gjithë parterët tanë në rajon”.
Shkruar nga: Hasan Sopa