Raporti i Misionit të OSBE-së vlerëson përparimin në kornizën ligjore dhe të politikave për riintegrimin e personave të riatdhesuar në Kosovë
PRISHTINË, 23 dhjetor 2016 – Është arritur përparim substancial në zbatimin e kornizës ligjore dhe të politikave për riintegrimin e personave të riatdhesuar në Kosovë, konkludon raporti i publikuar sot nga Misioni i OSBE-së në Kosovë.
Raporti me titull: “Vlerësim i zbatimit të kornizës ligjore dhe asaj të politikave për riintegrimin e personave të riatdhesuar në Kosovë,” e mbulon periudhën 2014-2015 dhe i thekson përmirësimet në procesin e riintegrimit pas reformimit të kornizës ligjore dhe asaj të politikave në vitin 2013. Kjo për shkak të rregulloreve të reja për riintegrimin e personave të riatdhesuar, të cilat e kanë riformësuar strukturën institucionale dhe e kanë bërë procesin e asistencës më gjithëpërfshirës. Udhëzimet e lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme me qëllim të informimit të institucioneve për atë se si të ndihmohen personat e riatdhesuar e kanë ndihmuar procesin gjithashtu.
“Personat që riatdhesohen në Kosovë ballafaqohen me sfida specifike, si qasja në banim, arsim, asistencë sociale dhe gjetjen e punësimit të qëndrueshëm, dhe për t’i adresuar këto sfida, institucionet relevante duhet të jenë efikase në punën e tyre,” tha Barbara Rohmann, Drejtoreshë e Departamentit për të Drejta të Njeriut dhe Komunitete në Misionin e OSBE-së. “Për këtë arsye, jemi të kënaqur që po shohim përparim në punën e institucioneve dhe në procesin e riintegrimit në përgjithësi.”
Raporti e lavdëron përmirësimin e punës së institucioneve komunale pas procesit të decentralizimit i cili kishte kulminuar me miratimin e planeve lokale të veprimit. Raporti gjithashtu e lavdëron përmirësimin e mbledhjes së të dhënave pas funksionalizimit të Sistemit Elektronik të Menaxhimit të Lëndëve, dhe rritjen e komunikimit ndërmjet institucioneve të nivelit qendror dhe atij lokal.
Nevojat specifike të personave të riatdhesuar të cenueshëm, përfshirë personat që i përkasin komuniteteve në pakicë numerike, janë marr para sysh në kornizën e rishikuar ligjore dhe të politikave, dhe raporti e vlerëson performancën institucionale në këtë aspekt si të kënaqshme.
Kanë mbetur për t’u adresuar disa sfida të vogla. Raporti rekomandon që institucionet ta respektojnë dispozitën për informim në të gjitha gjuhët zyrtare dhe t’i kushtojnë vëmendje më të madhe nevojave specifike të grave të riatdhesuara. Raporti gjithashtu rekomandon përmirësime të mëtutjeshme në mbledhjen e të dhënave dhe analizimin e informatave, dhe përqendrim më të madh në nevojat specifike të pjesëtarëve të riatdhesuar të komuniteteve që janë në pakicë numerike.
Raporti i plotë mund të gjendet në: //www.osce.org/kosovo/290871