Misioni i OSBE-së trajnon profesionistët ligjorë nga veriu i Kosovës për të drejtat në gjykim të drejtë
Nga 16 deri 20 maj 2016, në Budvë të Malit të Zi, Misioni i OSBE-së në Kosovë organizoi një trajnim për 45 profesionistë ligjor nga veriu i Kosovës, nga lëmia e standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut gjatë procedurës gjyqësore.
Pjesëmarrësit, të cilët janë kandidatë për t’iu bashkuar sistemit të riintegruar të drejtësisë në veri të Kosovës, janë informuar dhe përfshirë në diskutime thelbësore lidhur me të drejtat e njeriut, standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira, që kërkohen për të siguruar një gjykim të drejtë.
Trajnimi përbëhej nga prezantime dhe ligjërata mbi standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, mjetet për të bërë kërkime në bazën e të dhënave të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, të drejtat e qasjes në drejtësi dhe barazi në administrimin e drejtësisë, të drejtën për gjykim publik, të drejtën e prezumimit të pafajësisë dhe privilegjit kundër vetë-inkriminimit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, parimit të barazisë së armëve dhe të drejtën në dëgjim përpara një gjykate kompetente, të pavarur dhe të paanshme, të themeluar me ligj.
“Sistemi i drejtësisë në veri të Kosovës ka qenë jofunksional për shumë vite. Kjo situatë ka ndikuar negativisht në sundimin e ligjit, ndarjen e duhur të drejtësisë dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut, përfshirë të drejtën e qasjes në drejtësi dhe të drejtën në gjykim brenda një kohe të arsyeshme”, tha Jean-Claude Schlumberger, Kryesuesi i Misionit të OSBE-së në Kosovë. “Qëllimi i këtij trajnimi ishte i dyfishtë: të rritet ndërgjegjësimi i pjesëmarrësve lidhur me rëndësinë e promovimit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe lirive themelore në gjykatë, por edhe që të inkurajohen ata që t’i shfrytëzojnë mekanizmat përkatës ndërkombëtarë në punën e tyre të përditshme.”
Nikolla Kabashiq, përfaqësues i komunitetit gjyqësor në veri të Kosovës, theksoi: “Edukimi i vazhdueshëm dhe sistematik i profesionistëve të cilët si përgjegjësi kryesore kanë promovimin, zbatimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut është detyrim i të gjitha institucioneve dhe organizatave vendore dhe ndërkombëtare. Kjo është arsyeja pse ky trajnim është i rëndësishëm, sepse niveli i demokracisë së një shoqërie matet me shkallën e respektimit të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore në atë shoqëri”.
Zëvendësministri i Drejtësisë në Kosovë, Nusret Hoxha, i cili ishte mysafir në trajnim, theksoi mbështetjen e Ministrisë dhe nevojën që gjykatësve dhe prokurorëve vendorë t’u ofrohen mundësi të tjera shtesë për t’u njohur me praktikat më të mira ndërkombëtare në sektorin e drejtësisë.
Trajnimi u mbajt pasi që Misioni i OSBE-së bëri vlerësimin e nevojave , ku veçanërisht doli në pah nevoja që, si çështje prioritare, këta profesionistë ligjor të angazhohen në programe edukative, , në mënyrë që të fuqizohen kapacitetet e tyre për të ushtruar profesionin e tyre në veri.
Në mandatin e misionit të OSBE-së në Kosovë është mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut dhe të drejtave të komuniteteve, demokratizimi dhe zhvillimi i sektorit të sigurisë publike. Misioni mbështet sistemin e drejtësisë në Kosovë dhe realizon aktivitete programore me qëllim që të përmirësojë performancën e saj në përputhje me të drejtat e njeriut dhe standardet e gjykimit të drejtë.