Misioni i OSBE-së në Kosovë trajnon ish-pjesëtarët e ‘Mbrojtjes Civile’
VUSHTRRI, 8 shkurt 2016 - Misioni i OSBE-së ka nisur sot një kurs trajnimi bazik për 378 ish-pjesëtarë të ‘Mbrojtjes Civile’ nga veriu i Kosovës me temë kornizën institucionale dhe ligjore në Kosovë, përshirë të drejtat e komuniteteve.
Kursi gjashtë-javor organizohet me kërkesë të Ministrisë se Kosovës për Dialog, dhe po mbahet në Akademinë për Siguri Publike në Vushtrri.
“Misioni i OSBE-së po e ofron këtë kurs trajnimi si pjesë e përpjekjeve të saj për të mbështetur zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit të arritura mes Prishtinës e Beogradit me lehtësimin e Bashkimit Evropian,” tha Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger .
“Jemi të kënaqur që kemi mundur të kontribuojnë në këtë proces dhe besojmë se rezultati përfundimtar do të jetë ofrimi i shërbimeve më të mira për të gjitha komunitetet në Kosovë. Në emër të partnerëve, dua të falënderoj Akademinë për Siguri Publike dhe stafin e vet për mbështetjen e gjithmbarshme dhe për ofrimin e objektit për mbajtjen e trajnimit.”
Përveç Ambasadorit Schlumberger, ngjarjes iu drejtuan me një fjalë rasti edhe Ministrja për Dialog Edita Tahiri, Sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal Besnik Osmani, Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë për Siguri Publike Ismail Smakiqi dhe përfaqësuesja e EULEX-it Eva Gutjahr.
Të 378 pjesëmarrësit kanë nënshkruar kontrata së fundmi dhe do të punojnë në ministri e agjenci të ndryshme në Kosovë. Ky kurs do të pasohet nga një modul më specifik me fokus shërbimin civil, që do të mbahet nga Instituti i Kosovës për Administratë Publike.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve, forcimin e sundimit të ligjit the zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Misioni ofron rregullisht trajnime të avancuara dhe të specializuara për agjencitë e zbatimit të ligjit.