Misioni i OSBE-së në Kosovë, Zyra e Komisionerit për Gjuhët bëjnë thirrje për mbrojtje të mëtejme të të drejtave gjuhësore
PRISHTINË , 25 shtator 2015 – “Mbrojtja e të drejtave gjuhësore dhe diversitetit të pasur kulturor e gjuhësor në Kosovë janë vendimtare për kultivimin e tolerancës dhe mosdiskriminimit,” Misioni i OSBE-së dhe Zyra e Komisionerit për Gjuhët thanë në një deklaratë të përbashkët një ditë para Ditës Evropiane të Gjuhëve.
Ligji për Përdorimin e Gjuhëve trajton gjuhët shqipe dhe serbe si gjuhë të barabarta dhe zyrtare në nivel qendror e lokal, duke e bërë të obligueshme për institucionet ofrimin e shërbimeve në gjuhët zyrtare. Sipas disa kushteve të veçanta, në nivel komunal si gjuhë zyrtare konsiderohen edhe gjuhët tjera.
“Zhvillimi i një kulture ku të drejtat gjuhësore respektohen nga institucionet nuk është kurrë i lehtë dhe dispozitat ligjore si të tilla nuk mjaftojnë,” tha Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger. “Ne kemi parë progres të konsiderueshëm, dhe institucionet duhet të vazhdojnë përpjekjet për të siguruar që korniza ligjore zbatohet në tërësi. Duke ofruar shkollim, qasje në drejtësi, si dhe shërbime shëndetësore e komunale në gjuhët zyrtare pjesëtarëve të komuniteteve të ndryshme u mundësohet pjesëmarrje e plotë në procese demokratike dhe në vendimmarrje.”
“26 shtatori na kujton rëndësinë dhe qëllimin e mësimit të gjuhëve që fliten në rrethin tonë shoqëror. Duke mësuar gjuhët e njëri-tjetrit, do të zgjidheshin jo vetëm sfidat të cilat janë në mandat të Zyrës sonë, por edhe shumë çështje të tjera në shoqëri,” tha Komisioneri për Gjuhët Slavisa Mladenovic.
Misioni i OSBE-së dhe Zyra e Komisionerit për Gjuhët do të vazhdojnë të punojnë për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave gjuhësore në Kosovë, si pjesë kryesore e mandateve të tyre.