Komunikatë e përbashkët nga Forumi i Nivelit të Lartë për Zgjidhje të Qëndrueshme për Personat e Zhvendosur nga Kosova
Budvë, 22 shtator 2015. - Me rastin e mbajtjes së Forumit të Nivelit të Lartë për Zgjidhje të Qëndrueshme për Personat e Zhvendosur nga Kosova, organizuar nga OSBE dhe përkrahur nga UNHCR, institucionet pjesëmarrëse të udhëhequra nga Ministri Dalibor Jevtić (Prishtinë), Drejtori Marko Đurić (Beograd), Ministrja Zorica Kovačević (Podgoricë) dhe Sekretari Shtetëror Enver Husejin (Shkup), konfirmuan përkrahjen e fuqishme për vazhdimin e bashkëpunimit ndër-institucional dhe miratuan propozimet për fushat dhe fokusin e punës së përbashkët në të ardhmen, në mënyrë që të adresohen nevojat e personave të zhvendosur.
Qëllimi i këtij takimi të Forumit të Nivelit të Lartë ka qenë shqyrtimi i përparimit të arritur nga takimi i parë i Forumit i mbajtur në Shkup në nëntor 2014, gjatë të cilit pjesëmarrësit lëshuan një Komunikatë të Përbashkët përmes së cilës konfirmuan zotimin e tyre për bashkëpunim rajonal për zgjidhje të qëndrueshme për personat e zhvendosur nga Kosova dhe themeluan dy organe koordinuese për të çuar punën përpara.
Pjesëmarrësit vlerësuan punën e anëtarëve të Grupit Punues Teknik dhe takimet e mbajtura që nga nisja e procesit ndër-institucional në Shkup. Në veçanti, pjesëmarrësit e Forumit të Nivelit të Lartë i shprehen mirënjohje Grupit Punues Teknik për përpjekjet e tyre dhe për hartimin e dokumenteve të cilat u shqyrtuan nga Forumi.
Tri dokumentet që janë miratuar sot zyrtarisht nga Forumi i Nivelit të Lartë përfshijnë: Koncept Dokumentin për Koordinim dhe Planifikim, që përfshin parimet udhëheqëse dhe referencat për mekanizmat koordinues; Fushat dhe Masat me Prioritet (p.sh. të drejtat pronësore, dokumentacioni personal, siguria, dialogu dhe ri-integrimi), të cilat e përbëjnë agjendën për punën e mëtejme gjatë procesit, dhe Fushëveprimin për mekanizmin koordinues të Grupit Punues Teknik. Këto dokumente përbëjnë një kornizë praktike, dhe tani do t’i shërbejnë si udhërrëfyes për hapat e ardhshëm dhe punën e mëtejme operative të institucioneve pjesëmarrëse në përpjekjet e tyre për të përkrahur zgjidhje të qëndrueshme për personat e zhvendosur nga Kosova, duke përfshirë kthimin dhe integrimin në vendin ku janë të zhvendosur.
Pjesëmarrësit vunë në pah kontekstin sfidues të diskutimit të tyre për të zhvendosurit nga Kosova, duke nënvizuar se kriza aktuale e refugjatëve/migrantëve rëndon resurset njerëzore dhe financiare që nevojiten për të adresuar çështjen e të zhvendosurve. Duke theksuar rëndësinë e shfrytëzimit të plotë të mundësive të pakta për të ofruar zgjidhje të qëndrueshme për personat e zhvendosur nga Kosova, të gjitha institucionet pjesëmarrëse shprehën zotim për bashkëpunim të fuqishëm dhe aktiv për të dhënë rezultate praktike në kohë optimale.
Pjesëmarrësit falënderuan OSBE-në për organizmin e takimeve të këtij procesi, UNHCR-në dhe BE-në për këshillat dhe përkrahjen e tyre, si dhe të gjithë pjesëmarrësit për kontributin e tyre të çmuar dhe zotimin e vazhdueshëm.