OSBE trajnon Policinë e Kosovës në konfiskimin e pasurisë së paligjshme
Një trajnim dy-javor rreth ngrirjes, ndalimit dhe konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë për 13 zyrtarë të Policisë së Kosovës dhe financuar nga Zyra për Punë të Jashtme e Gjermanisë ka përfunduar në Prishtinë me 18 shtator 2015.
Trajnimi është fokusuar në rritjen e njohurive të pjesëmarrësve se si të hetojnë aktivitetet për shpërlarjen e parave të fituara përmes kryerjes së veprës penale, në pajtim me standardet ndërkombëtare dhe ligjet për të drejtat e njeriut. Vëmendje e veçantë i është kushtuar arsyetimit të mirë të kërkesave të bazuara në prova për ngrirje, ndalim dhe konfiskim të pasurisë së paligjshme.
“Nevoja për një trajnim në këtë temë është identifikuar gjatë takimeve tona me zyrtarë të lartë të Policisë së Kosovës, kështu që kemi angazhuar dy konsulentë nga Mbretëria e Bashkuar, që të dy ish-hetues të lartë të shpërlarjes së parave, me përvojë të gjerë në arenën ndërkombëtare, për të trajnuar policët rreth aspekteve praktike dhe teorike të këtij procesi,” thotë John Corrigan, Shef i Sektorit kundër Krimit të Organizuar në Misionin e OSBE-së në Kosovë.
Pjesëmarrësit kanë analizuar kornizën ligjore që ka të bëjë me ngrirjen dhe konfiskimin e pasurisë së paligjshme. Ata shqyrtuan edhe një skenar fiktiv të shpërlarjes së parave gjatë të cilit i dhanë mendimet e tyre se si duhet të kryhet hetimi në pajtim me legjislacionin aktual.
“Është më e lehtë të planifikohen dhe kryhen hetime nëse hetuesit e kanë skenarin e plotë të një rasti të shpërlarjes së parave,” tha trajnuesi Bill Durrant. “Këta policë tani kanë njohuri ligjore se si të merren me kërkesa komplekse për ngrirje, ndalim dhe konfiskim dhe se si ta bëjnë mirë që në herën e parë. Kjo do të kursejë shumë kohë në hetimet e ardhshme.”
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe komuniteteve, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Misioni rregullisht ofron trajnime të avancuara dhe specializuara si dhe këshilla për agjencitë për zbatim të ligjit, përfshirë edhe në këtë fushë të veçantë të krimit të organizuar.