Të ndërtosh ura – trashëgimia kulturore ka rëndësi
Me arkitekturën mesjetare të gjysmës së parë të shekullit XIV dhe natyrën e bukur, Manastiri ortodoks serb i Deçanit tërheq vizitorë nga i gjithë rajoni.
Në vitin 2004, UNESCO ka përfshirë Manastirin në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik, duke i vlerësuar afreskat e tij si “një ndër shembujt më të çmueshëm të së ashtuquajturës renesansës paleologe në pikturën Bizantine,” dhe si “një shënim i çmueshëm i jetës në shekullin e XIV."
Manastiri ndodhet në komunën e Deçanit, në Kosovën perëndimore. Pas përfundimit të konfliktit të vitit 1999, raportet në mes të komunës dhe Manastirit të Deçanit ka qenë të vështira, shpesh të ngarkuara me raste të konflikteve pronësore, protesta dhe mosbesim të përgjithshëm.
Sidoqoftë, përkundër vështirësive, gjendja ka filluar të përmirësohet. Hapat e fundit, të përkrahur nga Misioni i OSBE-së, tregojnë se marrëdhëniet mund të fillojnë të ndryshojnë dhe se Manastiri ka filluar të shihet si përparësi për zhvillimin e mëtutjeshëm të komunës.
“Përmirësimi i raporteve dhe ndihma në dialogun ndërmjet komuniteteve fetare dhe institucioneve lokale është mënyra për të fuqizuar tolerancën dhe bashkëjetesën në mes të grupeve të ndryshme që jetojnë në Kosovë,” tha Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger. “Kjo është forca shtytëse në përpjekjet e Misionit për të promovuar mirëkuptimin dhe pajtimin e ndërsjellë.”
Kultura ka rëndësi
Që nga viti 2014, rreth 650 nxënës të komuniteteve të ndryshme kanë vizituar vende të trashëgimisë kulturore e fetare në mbarë Kosovën. Këta të rinj patën rast të mësojnë për njëri-tjetrin dhe trashëgiminë e përbashkët kulturore, si dhe t’i thyejnë paragjykimet që nganjëherë ekzistojnë.
“OSBE i jep rëndësi të madhe përkrahjes së institucioneve lokale në promovimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e fetare,” tha Schlumberger. ”Në vitin 2014 kemi organizuar disa punëtori për më shumë se 160 inspektorë komunal mbi obligimet dhe përgjegjësitë e tyre në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e fetare, dhe të zonave të veçanta të mbrojtura rreth këtyre vendeve.
Misioni po ashtu ka ofruar seminare për të ngritur kapacitetet e përfaqësuesve të Kishës Ortodokse Serbe dhe të Ministrisë e Kulturës, Rinisë e Sportit për të drejtat dhe obligimet që dalin nga Ligji për Zonat e Veçanta të Mbrojtura.
Këshilli për Zbatim dhe Monitorim
Misioni është anëtar i Këshillit për Zbatim dhe Monitorim (KZM), një mekanizëm i nivelit të lartë që përbëhet nga përfaqësues të Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe Kishës Ortodokse Serbe për të adresuar çështjet që prekin zonat e veçanta të mbrojtura përreth vendeve fetare dhe kulturore Serbe. KZM bashkë-udhëhiqet nga Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian.
“Mbrojtja dhe promovimi i trashëgimisë kulturore fetare kërkon përpjekje substanciale nga institucionet përgjegjëse dhe shoqëria në tërësi për të parë ndryshime pozitive,” tha Schlumberger.
Gjeneratat e reja duhet t’i njohin vendet e trashëgimisë kulturore në Kosovë. Fryma e tolerancës dhe mirëkuptimit në mes të komuniteteve të ndryshme vjen nga mësimi dhe shkëmbimi, dhe kjo është ajo që bëjmë ne.
Ambasadori Jean-Claude Schlumberger Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë
Thyerja e paragjykimeve
Në fillim të nëntorit 2014, Misioni ka ndihmuar organizimin e vizitës së parë të një grupi të nxënësve shqiptarë nga komuna e Deçanit në Manastirin e Deçanit.
Udhëheqja komunale dhe vëllazëria e Manastirit kanë përkrahur aktivisht nismën e OSBE-së. Reagimet e pjesëmarrësve të rinj kanë qenë pozitive.
Një nxënës shqiptar 11 vjeçar nga Deçani tha se ai më herët nuk dinte shumë për Manastirin por se i pëlqeu shumë fakti që mund ta vizitonte, të bënte pyetje të ndryshme dhe të shihte afreskat në mur. “Është e rëndësishme ta mbrojmë trashëgiminë kulturore dhe ta kalojmë nga gjenerata në gjeneratë,” tha ai. “Është e rëndësishme për të gjithë ne.”
Ati Petar nga Manastiri, që i mirëpriti vizitorët e rinj dhe mësuesit e tyre, tha se murgjit “janë gjithmonë të kënaqur të pranojnë vizitorë, sidomos të rinj” dhe se “vizitat e tilla gjithmonë janë të mira.” “Shumë fëmijë nga komuna e Deçanit nuk kanë vizituar Manastirin dhe nuk kanë pasur kontakte me Manastirin,” tha Ati Petar.
Dialogu është qenësor për mirëbesim
Kryetari i komunës Rasim Selmanaj e mori detyrën në vitin 2013. Përderisa gjendja ekonomike në komunë është sfiduese, ai mbetet i zotuar të ndihmojë në ndërtimin e lidhjeve më të mira me Manastirin e Deçanit.
“Raportet me Manastirin janë relativisht të mira por duhet t’i përmirësojmë edhe më shumë,” tha Selmanaj. “Kam pasur disa takime me Kryemurgun e Manastirit të Deçanit dhe jemi pajtuar që akoma kemi shumë sfida para nesh.”
Por, nganjëherë mund të gjinden interesa të përbashkëta. Në fund të vitit 2014, komuna dhe Manastiri kanë përkrahur rindërtimin e një rruge që çon te burimi i ujit mineral afër Manastirit.
Shumë probleme në mes të komunës dhe Manastirit janë thjeshtë rezultat i keqkuptimeve ose mungesës së njohurive.
Ati Petar Manastiri i Deçanit
Ati Petar mendon se takimet e rregullta me komunën mund të ndryshojnë gjërat. “Para disa muajve, me ftesë të komunës, kam filluar të marr pjesë në takimet e këshillave komunal për siguri në bashkësi si përfaqësues i komunitetit ortodoks serb. Pas dy takimeve, e kam kuptuar se shumë probleme në mes të komunës dhe Manastirit janë thjeshtë rezultat i keqkuptimeve ose mungesës së njohurive,” tha Ati Petar. Ai po ashtu vuri në pah potencialin e Manastirit “për të kontribuuar në ekonominë lokale dhe turizmin në këtë zonë.”
Përkrahja e OSBE-së vazhdon
Kryetari Selmanaj dhe Ati Petar shohin rol të rëndësishëm për OSBE-në në lehtësimin e dialogut. “Ne mirëpresim çdo mundësi për përfshirjen e OSBE-së në përmirësimin e raporteve dhe e çmojmë rolin e OSBE-së në të kaluarën,” tha Selmanaj.
Ati Petar në veçanti nënvizoi rolin e OSBE-së në “ndërmjetësimin dhe ndihmën për përmirësimin e kontakteve dhe raporteve, në veçanti me të rinjtë, popullatën lokale dhe komunën.”
Ambasadori Schlumberger pajtohet me mendimet e tyre: “Përpjekjet e përbashkëta për të ndërtuar tolerancën dhe për të punuar për pajtim janë e vetmja rrugë përpara,” përfundoi ai.