Përkundër progresit të caktuar në kthim, personat e zhvendosur mbesin të prekur nga çështjet e pazgjidhura pronësore dhe gjendja e sigurisë, thotë raporti i Misionit të OSBE-së
Prishtinë, 8 dhjetor 2014 – Pesëmbëdhjetë vite pas konfliktit, dhe përkundër mbështetjes së konsiderueshme ndërkombëtare, rreth 220,000 persona të zhvendosur jashtë Kosovës dhe rreth 17.000 persona të zhvendosur në Kosovë mbesin pa zgjidhje të qëndrueshme për kthimin e tyre ose integrimin në vendin ku janë zhvendosur, konkludon raporti i pestë për kthimin vullnetar i publikuar sot nga Misioni i OSBE-së në Kosovë. Raporti shton se numri i të kthyerve në Kosovë po bie çdo vit.
Raporti merr parasysh hapat e rëndësishëm të ndërmarrë nga Ministria e Kosovës për Komunitete dhe Kthim në mbështetje të personave të zhvendosur, duke përfshirë miratimin e një Strategjie të re për Komunitete dhe Kthim 2014-2018 dhe fillimin e një hulumtimi për të identifikuar nevojat e personave të zhvendosur në Kosovë, në bashkëpunim me Komisionerin e Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR) dhe Këshillin Danez për Refugjatë.
Megjithatë, raporti thekson mungesën e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet institucioneve të nivelit qendror e lokal, si dhe mes qeverive në rajon, në ofrimin e ndihmës për personat e zhvendosur dhe të kthyerit. Raporti po ashtu tërheq vëmendjen rreth uzurpimit të paligjshëm të pronave të personave të zhvendosur.
Më tej raporti thekson se gjatë periudhës raportuese gusht 2012- gusht 2014, OSBE ka evidencuar mbi 230 incidente të sigurisë në vendet e kthimit, veçanërisht në rajonin e Pejës, ndërsa rezistenca nga komunitetet pranuese ka çuar edhe në bllokimin e kthimeve të mundshme në një numër lokacionesh anembanë Kosovës.
Raporti i bën thirrje Ministrisë për Komunitete dhe Kthim të përmirësojë mbledhjen e të dhënave dhe bashkërendimin me komunat si dhe me organet e tjera të nivelit qendror; aty gjithashtu i bëhet thirrje Agjencisë Kosovare të Pronës e gjykatave që të adresojnë çështjet e pazgjidhura pronësore; kurse komunat inkurajohen që të vendosin si prioritet ndarjen e tokës dhe banimin social për të mbështetur kthimin aty ku nuk ka qasje në pronë.
Raporti vë në dukje një numër të përgjigjeve pozitive nga ana e Policisë së Kosovës dhe kryetarëve të komunave ndaj incidenteve të sigurisë, por bën thirrje për një përgjigje të njëjtë ndaj të gjitha incidenteve të tilla, duke marrë parasysh ndjeshmërinë e veçantë të rasteve që kanë të bëjnë me të kthyerit.
Raporti bazohet në aktivitetet e rregullta monitoruese të Misionit dhe është plotësuar me të dhënat e siguruara nga UNHCR-i dhe Ministria e Kosovës për Komunitete dhe Kthim. Atë mund ta lexoni në: //www.osce.org/sq/kosovo/129346