Burrat e vërtetë kurrë nuk i rrahin gratë, thotë fushata e Misionit të OSBE-së në Kosovë me rastin e 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës ndaj Grave
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka filluar me 26 nëntor 2014 në Prishtinë një fushatë kundër dhunës në familje të titulluar “Burrat e vërtetë kurrë nuk i rrahin gratë.”
Fushata informuese mbështet përpjekjet e Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave për të parandaluar dhunën në familje dhe për të motivuar publikun që t’i raportojë rastet te mbrojtësit e viktimave në numrin 0800 11 11 2.
“Dhuna në familje është fenomen i përhapur në Kosovë, si në krejt botën, dhe për fat të keq nuk është gjithmonë e lehtë të identifikohet ose të zgjidhet sepse shumë njerëz e konsiderojnë çështje të brendshme familjare. Sot, ne themi se dhuna në familje nuk është çështje e brendshme familjare dhe se duhet të ndiqet penalisht,” tha Neil Tobin, Shef i Zyrës Rajonale të Misionit të OSBE-së në Prishtinë në hapje të fushatës.
Tobin më tutje shtoi se vetëm nga janari deri në qershor të vitit 2014, në Policinë e Kosovës janë raportuar më shumë se 400 raste të dhunës në familje, kurse shumë të tjera nuk raportohen fare.
Fushata ka si personazhe dy profesionistë të sporteve luftarake nga Kosova: boksierin Armend Xhoxhaj dhe kik-boksierin Marko Bozovic, të cilët vullnetarisht janë bërë fytyra të fushatës dhe bartës të porosisë së fushatës si burra që përdorin forcën si pjesë e punës së tyre por kurrë kundër grave.
Kjo fushatë që mbulon tërë Kosovën përmban spote televizive dhe posterë në gjuhën shqipe e serbe dhe do të zgjasë katër javë, duke përfshirë 16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës ndaj Grave.