Parandalimi i dhunës dhe ngacmimit në shkollë përmes ndërgjegjësimit
Policia e Kosovës dhe OSBE bashkuan forcat për të edukuar mijëra nxënës anekënd Kosovës për atë se si duhet reaguar ndaj paragjykimit dhe si duhet parandaluar krimet e nxitura nga urrejtja.
“Kush e ka shikuar ndeshjen gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve mbrëmë?” i pyet Togeri Fadil Gashi nxënësit e klasës së tetë të shkollës fillore “Xhemajl Kada” në Pejë. Të gjithë i ngritin duart. Pyetja e dytë: “Mirë. A e keni parë atë panon ku shkruan “SAY NO TO RACISM” [THUAJ JO RACIZMIT] dhe çka mendoni se do të thotë ajo?” Sërish nxënësit, djem dhe vajza, nguten që ta marrin fjalën. “Ka të bëjë me respektimin e njërit-tjetrit përkundër dallimeve që ne mund t’i kemi,” përgjigjet shpejtë Liridona Lajçi.
Këto ligjërata janë pjesë e një nisme të mbështetur nga OSBE që ka për qëllim ndërgjegjësimin për tolerancën, paragjykimin dhe krimet e nxitura nga urrejtja. Gjithsej 10,140 nxënës nga 65 shkolla fillore dhe 45 shkolla të mesme anekënd Kosovës, ndoqën një ligjëratë të tillë. Shkolla “Xhemajl Kada” është një shkollë me nxënës nga komuniteti shqiptar, boshnjak dhe rom. Policia ka raportuar se këtu ka pasur shtim të tensioneve mes nxënësve shqiptarë dhe boshnjakë të Kosovës.
Sipas të dhënave të tyre, në vitin 2013 gjithsej 45 incidente që përfshinin nxënësit e shkollave iu raportuan policisë në rajonin e Pejës. Nga krahasimi i tremujorit të parë të vitit 2013 me atë të vitit 2014 doli që shifra ishte dyfishuar, përkatësisht nga 4 në 8 duke përfshirë tre raste të lëndimeve trupore. Fatkeqësisht shifrat janë të ngjashme anekënd Kosovës. Në tremujorin e parë të vitit 2013 në polici u raportuan 116 raste që përfshinin nxënës dhe kjo shifër u rrit në 188 për të njëjtën periudhë të vitit 2014.
Parandalimi është çelësi
Përmes monitorimit të rregullt dhe punës me policinë e kemi vërejtur një shtim në numrin e incidenteve nëpër shkolla ku ka pasur sulme fizike, kanosje dhe vepra tjera të rënda. Pasi që i kemi analizuar shifrat, e kemi kuptuar se ekziston nevojë e qartë për veprim parandalues. Filluam me hartimin e një doracaku për trajnim dhe planit mësimor për policinë, dhe më pas organizuam trajnim të trajnerëve për tre ditë për 26 policë nga të gjitha rajonet e Policisë në Kosovë, të cilët janë të specializuar për të punuar me nxënës. Ata vazhduan me trajnimin e kolegëve për mbajtjen e ligjëratave .
Anita Pasha, zyrtare vendore e programit, Seksioni për Siguri dhe Monitorim, Departamenti për të Drejta të Njeriut dhe Komunitete, Misioni i OSBE-së në Kosovë
Nisma është pjesë e një programi më të madh mbi krimet e nxitura nga urrejtja që është zhvilluar dhe zbatuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, i cili përfshin disa veprimtari të ndërtimit të kapaciteteve dhe trajnimeve të specializuara për policinë. Qëllimi ishte trajnimi i policisë për t’i mësuar nxënësit rreth paragjykimeve, ngacmimit dhe mostolerancës nëpër shkolla duke parandaluar kështu konfliktet dhe krimet e mundshme të nxitura nga urrejtja.
“Përveç kësaj, vetë policia ka shfaqur interesim duke qenë se kjo ishte një temë relativisht e panjohur për ta,” thotë Pasha. Misioni i OSBE-së në Kosovë e ka përkrahur programin duke mundësuar kontaktet mes policisë dhe autoriteteve arsimore dhe gjyqësore për të siguruar një reagim të bashkuar ndaj dhunës.
“Gjithçka e re për mua”
“Mendoj se ligjërata ka qenë shumë informuese. Unë jam vajza e një polici, por më duhet ta pranojë se nuk kam qenë e njoftuar me këto çështje,” thotë Liridona. Ajo tha se do t’i shpërndajë këto informata sa më shumë që është e mundshme tek miqtë e saj, duke besuar se pas ligjëratave incidentet në shkollën e saj do të pësojnë rënie. “Kjo është ajo që më së paku mund të bëjmë. Krimi është fundi i një cikli që fillon me mostolerancë dhe paragjykime. Nuk duam të shohim gjëra të tilla në shkollën tonë”.
Bashkimi i përpjekjeve
Sipas autoriteteve policore dhe atyre të shkollës, trajnerëve dhe pjesëmarrësve, seria e ligjëratave u dëshmua si e suksesshme. Në bazë të këtyre përgjigjeve, Misioni i OSBE-së mëton që të vazhdojë ta ndihmojë policinë dhe shkollat në trajtimin e çështjeve që ndikojnë në sigurinë e nxënësve.