OSBE ndihmon të rinjtë e Kosovës të mësojnë për trashëgiminë e përbashkët kulturore
Është lehtë të dallosh Suadën, 18 vjeçare, në një grup prej 50 të rinjve goran të gëzuar e përplot gjallëri në një ditë me diell. Me kamerën e saj profesionale, ajo mundohet të fotografoj nga këndi më i mirë oborrin piktoresk të Manastirit të Patriarkanës së Pejës në Kosovën perëndimore, të cilin po e viziton së bashku me grupin. Më herët atë ditë, grupi e ka vizituar Manastirin e Deçanit, kurse më pastaj do të vizitojnë qendrën e qytetit të Pejës.
Suada dhe bashkëmoshatarët e saj goran kanë qenë pjesë e një nisme të Misionit të OSBE-së për të sjellë trashëgiminë kulturore dhe fetare më afër të rinjve nga komunitete të ndryshme, për t’iu ndihmuar ta kuptojnë rëndësinë e saj, si dhe rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore për gjeneratat e ardhshme. Nga maji deri në qershor të vitit 2014, më shumë se 500 fëmijë nga komunitete të ndryshme kanë pasur mundësinë të vizitojnë mbi dhjetë vende të trashëgimisë në mbarë Kosovën.
Kultura e mësimit
“Të rinjtë e komuniteteve të ndryshme në Kosovë kanë mundësi të kufizuara ose nuk kanë mundësi fare për të vizituar vendet që ndërlidhen me komunitetet tjera, ose të rrinë së bashku e të mësojnë më shumë për njëri-tjetrin. Këto vizita i kemi organizuar për t’ju dhënë të rinjve pikërisht këtë mundësi,” tha Silke Nebenführ nga Misioni i OSBE-së.
Suada e pranon këtë: “Nuk kam shumë raste të dal nga qyteti im i lindjes Dragashi dhe kjo është hera e parë që kam vizituar një manastir” tha ajo. “Mendoj se të mësosh për kulturën e njerëzve tjerë vetëm sa do të ndihmon t’i kuptosh më mirë ata, por edhe të kuptosh se kemi gjëra të përbashkëta pavarësisht dallimeve.”
Gjatë muajit maj, Denisi 15 vjeçar, shqiptar nga Peja, ka vizituar Xhaminë e Sinan Pashës, që daton nga kohërat otomane, si dhe qendrën historike të Prizrenit.
“Me të vërtetë më pëlqeu xhamia, dhe ikona e praruar në ar në Kishën e Shën Gjergjit. Na thanë se nëse pimë ujë nga sheshi në Shatërvan, shpejt do ta takojmë dashurinë e jetës,” tha Denisi duke buzëqeshur.
Aleksa, po ashtu 15 vjeçar, serb nga Leposaviqi në Kosovën veriore, ka udhëtuar për herë të parë në Kosovën qendrore dhe ka vizituar Manastirin e Graçanicës. “Jam shumë e lumtur,” tha ai shkurt. “Do të doja ta kisha këtë rast më herët.”
Silke beson fuqishëm se kjo dhe iniciativa tjera të ngjashme mund të ndihmojnë në rritjen e tolerancës dhe mirëkuptimit në mes të komuniteteve në Kosovë. “Përkundër përpjekjeve për të mbrojtur dhe promovuar trashëgiminë kulturore dhe fetare në Kosovë, incidente sporadike, veprime vandale dhe ndërtime ilegale ende e kërcënojnë atë,” Silke shtoi. “Kjo tregon qartë se akoma ka punë për tu bërë.”
Kulturë e përbashkët, vlera të përbashkëta
Suada beson se duhet bërë më shumë për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë kulturore në Kosovë. “Fillon duke kuptuar rëndësinë e saj. Ajo çfarë pashë sot është vepër arti dhe duhet të ruhet ashtu siç është. Asnjë gur i vetëm nuk duhet të preket, e lëre më diçka më keq,” tha Suada.
Misioni i OSBE-së në Kosovë planifikon të vazhdoj të punoj në mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe fetare. “E kemi bërë hapin e parë, por shpresojmë të shohim profesionistët e arsimit të vazhdojnë me iniciativa të njëjta në të ardhmen. Toleranca dhe mirëkuptimi i ndërsjellë së pari duhet të mësohen në familje dhe në shkollë. Nuk mund t’i bëjmë këto ndryshime vetëm,” tha Silke.
Natyrisht, këto udhëtime e kanë zgjuar imagjinatën e nxënësve: Aleksa do të donte të vizitonte vende tjera në Kosovë por edhe Budapestin, kurse Denisi ëndërron që një ditë të vizitoj Taxh Mahallin në Indi, duke treguar se respekti për art dhe kulturë nuk njeh kufij.