Misioni i OSBE-së në Kosovë bënë thirrje për mbrojtje më të fuqishme të të drejtave të komuniteteve nga komunat
PRISHTINË, 27 qershor 2014 – Mekanizmat komunal për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të komuniteteve duhet të përmirësohen tutje për të siguruar pjesëmarrje më aktive të komuniteteve në qeverisjen lokale dhe punët publike, konkludoi raporti i Misionit të OSBE-së në Kosovë i publikuar sot.
Mekanizmat ekzistues komunal përfshijnë komitetet për komunitete, zyrat për komunitete dhe kthim, si dhe pozitat e nënkryetarit të komunës për komunitete dhe zëvendës-kryesuesit të kuvendit komunal për komunitete.
Raporti konstaton që zbatimi i këtyre mekanizmave i ka avancuar marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve, por vë në pah nevojën për hartimin e akteve nënligjore që do ta përmirësonin edhe më tutje funksionimin e tyre në praktikë. Derisa disa komuna e kanë krijuar pozitën e nënkryetarit të komunës për komunitete, ndonëse nuk kanë qenë të obliguara me ligj, një komunë, ku një post i tillë ka qenë i detyrueshëm me ligj, nuk e ka krijuar atë.
“Komunat luajnë rol të rëndësishëm në ofrimin e mbrojtjes së të drejtave dhe interesave të komuniteteve,” tha drejtori i Departamentit për të Drejta të Njeriut dhe Komunitete pranë Misionit të OSBE-së në Kosovë Hjortur Sverrisson. “Ky raport me rekomandimet e tij për trajtimin e mangësive, do t’i ndihmoj komunave në përpjekjet e tyre për respektim të plotë të legjislacionit dhe për të siguruar pjesëmarrje konstruktive të komuniteteve jo-shumicë në qeverisje lokale.”
Raporti “Vlerësim i mekanizmave të nivelit lokal për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe interesave të komuniteteve në Kosovë” e mbulon periudhën prill 2012 - tetor 2013, dhe është i bazuar në aktivitetet e rregullta të monitorimit nga Misioni i OSBE-së dhe në anketën e bërë për këtë qëllim.
Raporti mund të gjendet në www.osce.org/sq/kosovo/120344
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka mandat për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokratizim dhe zhvillim të sektorit të sigurisë publike.