Punëtoritë e OSBE-së fokusohen në mbrojtjen e të drejtave pronësore dhe të banimit në Kosovë
Nga data 11 deri me 27 prill 2014, Misioni i OSBE-së në Kosovë ka organizuar një seri prej pesë punëtorive për ngritjen e vetëdijes për mbrojtjen e të drejtave pronësore dhe të banimit për komunitetet jo-shqipëtare, në veçanti shpronësimin e tokës, uzurpimin ilegal dhe tatimin për pronën e paluajtshme.
Në këto punëtori kanë marrë pjesë 115 zyrtarë nga komunat, ministritë, Agjencioni i Kosovës për Pronë, Policia e Kosovës, si dhe përfaqësues të komuniteteve jo-shqiptare duke përfshirë organizata të shoqërisë civile dhe përfaqësues të fshatrave.
Përfaqësuesit e komuniteteve jo-shqiptare kanë kërkuar mbrojtje më të mirë të të drejtave të tyre pronësore dhe të banimit, dhe kanë nxitur zyrtarët e komunave që merren me rastet e shpronësimit t’i informojnë mjaftueshëm personat e zhvendosur të afektuar nga shpronësimi për të drejtat e tyre dhe mbrotjen ekzistuese ligjore.
Ata po ashtu i bënë thirrje gjykatave tu japin prioritet rasteve të ri-uzurpimit ilegal të pronave të tyre pasi që ri-uzurpuesit vazhdojnë t’i përdorin këto prona gjatë gjithë kohës sa zgjasin procedurat gjyqësore, disa prej të cilave vazhdojnë me vite.
Pjesëmarrësit po ashtu kërkuan nga institucionet përgjegjëse ta amandamentojnë Ligjin mbi Tatimin në Prona të Paluajtshme dhe të sigurojnë se pronarët e pronave nuk kanë nevojë të paguajnë borxhet e akumuluara të tatimit në pronë për periudhën gjatë së cilës pronat kanë qenë të uzurpuara në mënyrë ilegale.
Misioni i OSBE-së ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut të komuniteteve, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Misioni punon për të promovuar, monitoruar dhe avokuar të drejta të plota pronësore dhe të banimit pa diskriminim për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.