Shefi i Misionit të OSBE-së bën thirrje për më shumë poste drejtorësh për gratë në institucionet kosovare
PRISHTINË, 7 mars 2014 – Një ditë para 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger, u ka bërë apel institucioneve të nivelit lokal e qendror në Kosovë që të rrisin numrin e grave në pozita menaxheriale.
“Në zgjedhjet e fundit kemi parë një zhvillim mjaft pozitiv me zgjedhjen e kryetares së parë femër të komunës. Megjithatë, 90 për qind e drejtorëve të emëruar deri më tani në komuna janë meshkuj,” tha Schlumberger. “Kjo shifër tregon qartë se institucionet kosovare duhet të bëjnë më shumë për të arritur barazinë gjinore në radhët e tyre, përkundër arritjeve të shumta të viteve të fundit në integrimin e çështjes gjinore në Kosovë.”
“Është mjaft pozitiv fakti që në nivel qendror janë tri gra me poste ministrore, por në përgjithësi, numri i grave me pozitë drejtori në institucionet qendrore nuk është më i lartë se në komuna dhe kjo çështje duhet të trajtohet.”
Në vitin 2014, Misioni i OSBE-së do të vazhdojë t’i mbështesë nismat për forcimin e rolit të gruas në proceset e vendimmarrjes. Aktualisht, OSBE është e përqendruar në konsolidimin e grupeve të grave asambleiste të zgjedhura në zgjedhjet e fundit lokale. Misioni do t’i mbështesë grupet e themeluara në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas përmes ngjarjeve të organizuara anembanë Kosovës me moton e organizatës UN Women “Barazia për gratë, barazi për të gjithë.”