Raporti i OSBE-së: Mungesa e të dhënave të besueshme pengon përpjekjet pozitive të institucioneve të Kosovës në fushën e riatdhesimit
Prishtinё, 9 janar 2014 – Misioni i OSBE-së ka publikuar sot raportin e tretë me radhë me temë riintegrimin e personave të riatdhesuar në Kosovë.
Raporti vë në pah se institucionet në nivel qendror dhe lokal në Kosovë kanë bërë përparim të dukshëm nga viti 2011 duke përmirësuar koordinimin dhe politikat e tyre, si dhe duke shtuar asistencën për personat e riatdhesuar. Sidoqoftë, mungesa e të dhënave të besueshme rreth personave të kthyer me forcë, qasjes së tyre në shërbime dhe asistencës për të cilën ata kanë nevojë e bëjnë të vështirë identifikimin e prioriteteve, hartimin e projekteve për riintegrim, dhe vlerësimin e zbatimit të tyre.
“E përgëzoj përkushtimin e institucioneve të Kosovës ndaj proceseve të riatdhesimit dhe riintegrimit, gjë që vërehet nga ndarja e vazhdueshme e resurseve të konsiderueshme njerëzore e financiare,” tha Zëvendës Shefja e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Paivi Nikander.
“U bëj thirrje të gjitha palëve të përfshira, sidomos komunave, që t’i kërkojnë personat e riatdhesuar, të mbledhin të dhënat e domosdoshme dhe të zhvillojnë një databazë që do të ndihmonte në rritjen e efikasitetit të projekteve për riintegrim. Riintegrimi nënkupton të drejta të njeriut, të drejtën për strehim dhe banim, regjistrim civil, punë, arsimim dhe kujdes shëndetësor, dhe askush nuk duhet të privohet nga këto të drejta për shkak të mungesës së informatave.”
Raporti është i bazuar në aktivitetet e rregullta të monitorimit të Misionit të OSBE-së në Kosovë dhe është vazhdimësi e raporteve më të hershme nga viti 2009 dhe 2011. Raporti ofron analiza dhe rekomandime për institucionet e nivelit lokal dhe qendror se si t’i zgjidhin sfidat e identifikuara.
Raportin e plotë mund ta gjeni në: //www.osce.org/sq/kosovo/110148