OSBE-ja mbështet zyrtarët shqiptarë në fushën e antitrafikimit për të hartuar trajnimin e parë simulues
Përgatitjet për trajnimin e parë simulues në Shqipëri kundër trafikimit të qenieve njerëzore filluan me një takim në rrjet, më 29 maj 2020. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Zyra e Përfaqësuesit të Posaçëm dhe Koordinatorit të OSBE-së Kundër Trafikimit njohën grupin shqiptar të ekspertëve që do të hartojë trajnimin specifik për Shqipërinë me metodologjinë e kësaj përqasjeje të veçantë të OSBE-së për rritjen e kapaciteteve në këtë fushë.
Trajnimi do të ketë ushtrime reale, praktike dhe ndërdimensionale simuluese, që do të përmirësojnë aftësitë e punonjësve që luftojnë trafikimin për të identifikuar viktimat, për të hetuar rastet e dyshuara të trafikimit dhe për të ndjekur penalisht trafikantët.
“Shqipëria vijon të përballet me sfida të shumta në trajtimin e trafikimit të qenieve njerëzore, veçanërisht në lidhje me identifikimin e viktimave, hetimin dhe ndjekjen penale të autorëve. Përmes këtij trajnimi, Shqipëria bëhet vendi i parë në rajon që do të jetë në gjendje të ndërmarrë një qasje krejtësisht të re për ngritjen e kapaciteteve në luftën kundër trafikimit të personave,” tha Bernd Borchardt, Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.
Rovena Voda, zëvendësministre e Brendshme dhe Koordinatore Kombëtare Kundër Trafikimit, tha se Shqipëria është angazhuar që, gjatë Kryesimit të OSBE-së në vitin 2020, të forcojë luftën kundër trafikimit të personave, një sfidë që është e ndjeshme në të gjithë OSBE-në. Duke u mbështetur në instrumentet ekzistuese, siç është ky trajnim simulues i krijuar nga Zyra e Koordinatorit të Posaçëm të OSBE-së Kundër Trafikimit, Kryesia shqiptare do të mbështetë praktikat zhvilluese për të parandaluar dhe luftuar trafikimin e personave”, tha Voda.
Grupi i ekspertëve – i përbërë nga një gamë e gjerë profesionistësh nga agjencitë ligjzbatuese, Inspektorati Shtetëror i Punës, Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, Universiteti i Tiranës dhe shoqëria civile – do të punojë gjatë muajve në vijim për të hartuar një trajnim ku profesionistët antitrafikim në Shqipëri do të punojnë në ekipe për të hetuar raste të simuluara të punës dhe shfrytëzimit seksual mes migrantëve, përfshirë fëmijët viktima të trafikimit.
“Trajnimet me bazë simulimin ofrojnë një mundësi unike për pjesëmarrësit që të praktikojnë dhe zotërojnë aftësitë e tyre në një mjedis të sigurt mësimi dhe të marrin reagime të menjëhershme nga profesionistë të tjerë,” tha Val Richey, Përfaqësuesi i Posaçëm dhe Koordinatori i OSBE-së për Luftën Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore. Gjatë tetë trajnimeve me bazë simulimin të kryera që nga viti 2016, Zyra e tij ka trajnuar 529 ekspertë nga mbi 54 shtete pjesëmarrëse të OSBE-së, 7 Partnerë për Bashkëpunim dhe 6 vende të Afrikës Qendrore dhe Perëndimore.
Trajnimi është pjesë e projektit të Prezencës së OSBE-së “Veprim kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore në Shqipëri”, i cili financohet nga UNICEF-i, me mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar.