Kryesuesi i OSBE-së Sebastian Kurz në Shkup ndjek debatin e tryezës së rrumbullakët mbi rolin e rinisë në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm
SHKUP, 13 shkurt 2017 – Kryesuesi i OSBE-së dhe Ministër aktual i jashtëm i Austrisë Sebastian Kurz, Ministri i jashtëm Nikolla Poposki, Shefja e Misionit të OSBE-së në Shkup Ambasadorja Nina Suomalainen dhe Grupi rinor këshillëdhënës joformal i Misionit gjatë debatit në tryezën e rrumbullakët të organizuar gjatë ditës së djeshme në Shkup këmbyen pikëpamjet e tyre mbi perspektivat e rinisë në luftën kundër radikalizmit terrorist dhe ekstremizmit të dhunshëm.
“Krahas këmbimeve të përditshme që bëj me politikanë, zyrtarë dhe ekspertë, unë i vlerësoj shumë dhe ato mundësi për t’i analizuar gjërat nga një perspektivë të ndryshme. Diskutimi për sfidat e sotme me vendimmarrësit e të nesërmes për mua është një pasuri e veçantë. Ne duhet të dëgjojmë rininë, ta fuqizojmë atë dhe ti bëjmë ata pjesë të zgjidhjes,” tha Kurz.
Në evenimentin të titulluar “#NO2Radicalization: Rinia kundër ekstremizmit të dhunshëm”, anëtarët e këshillave rinorë lokal nga Manastiri e Kërçova dhe organizatat e shoqërisë civile shqyrtuan përpjekjet për identifikimin dhe adresimin e rrethanave të cilat janë në favor të radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm që shpien në terrorizëm. Gjithashtu u diskutua për qasjet inovative të ballafaqimit me këtë sfidë.
Ministri i jashtëm Poposki tha se “Arsimi paraqet faktor kyç në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm. Bashkëpunimi ndërkufitar ndërmjet institucioneve është dukshëm i vonuar në krahasim me rrjetet rekrutuese”.
Suomalainen vuri theks mbi vlerën e angazhimit të rinisë, veçanërisht në nivel lokal: “Besoj se lëvizjet e drejtuara në nivelin bazë të shoqërive mund të forcojnë qëndrueshmërinë e atyre shoqërive që ballafaqohen me këto fenomene. Ne duhet të dëgjojmë rininë dhe të punojmë bashkë me të nëse duam të kemi sukses.”
Kurz lavdëroi Misionin e OSBE-së në Shkup për prezencës e saj të vlefshme dhe të përkushtuar si dhe për bashkëpunimin e gjatë me të gjitha komunitetet në vend si resurse në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpien deri në terrorizëm përmes angazhimit të rinisë.
Diskutimet në tryeza të rrumbullakëta janë pjesë e aktiviteteve të Misionit që synojnë angazhimin e rinisë dhe shoqërive civile në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm. Kontributi i liderëve të rinj dhe përfaqësuesve të organizatave të shoqërisë civile dhe të ekspertëve – Analytica, Qendra për Dialog Ndërkulturor, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut dhe Demokraci – siguroi bazë të dobishme për vazhdimin e punës në këtë fushë.