Nevojitet qasje gjithëpërfshirëse e sigurisë për një reagim global ndaj COVID-19, thonë drejtuesit e OSBE-së, në prag të Ditës Ndërkombëtare të Multilateralizmit dhe të Diplomacisë për Paqen
TIRANË/KOPENHAGË/VJENË/VARSHAVË/HAGË, 23 prill 2020 – Nesër, Dita Ndërkombëtare e Multilateralizmit dhe e Diplomacisë për Paqen do të shënohet me një rritje vlerësimi për rëndësinë e sigurisë gjithëpërfshirëse, si dhe me një ndjesi më të fortë urgjence në lidhje me nevojën për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar, thanë Kryetari i Këshillit të Përhershëm të OSBE-së dhe krerët e institucioneve të OSBE-së në një deklaratë, ditën e sotme.
Duke vënë në dukje rëndësinë e bashkërendimit të ngushtë të reagimeve afatshkurtra dhe afatgjata ndaj pandemisë COVID-19 dhe sfidave që ajo sjell, drejtuesit e OSBE-së theksuan që organizata është e gatshme të punojë ngushtë me qeveritë dhe parlamentet kombëtare për të siguruar përfundimin më të mirë të mundshëm të kësaj krize. Ata, gjithashtu, përshëndetën thirrjen e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, më 23 mars, për një armëpushim global, duke theksuar se një sërë konfliktesh vazhdojnë të ndikojnë në zonën e OSBE-së, përfshirë krizën në Ukrainë dhe përreth saj.
“Si një organizatë e themeluar në epokën e detantës të viteve '70 për të zbutur kërcënimin e konfliktit të fuqive të mëdha përmes përdorimit të multilateralizmit, OSBE-ja mund të ndihmojë duke udhëhequr një reagim ndërkombëtar për të kontribuar në menaxhimin e urgjencës së COVID-19 dhe pasojat e saj,” tha ambasadori Igli Hasani, Kryetar i Këshillit të Përhershëm të OSBE-së. “COVID-19 po ndryshon jetët tona dhe do të lërë një shenjë të përhershme në Evropë dhe në botë. Jam thellësisht i prekur për humbjen e jetëve, si dhe për ndikimin që ka pasur kjo situatë në ndërprerjen e punëve dhe në jetesën e njerëzve. Por më jep shpresë fakti se këto kohë sfiduese po nxjerrin në pah edhe më të mirën e njerëzimit. Kujdesi i vazhdueshëm, sakrifica dhe bamirësia, që shohim nëpër botë, do të na ndihmojë ta mposhtim virusin. Por mënyra se si do të dalim nga kjo krizë dhe ajo çfarë zgjedhim të mësojmë është po aq e rëndësishme. Nuk kam dyshime se, nëse e mbajmë gjallë këtë frymë solidariteti, dhembshurie dhe bashkëpunimi ndërkombëtar, pasi të jetë larguar virusi, do të kemi një të ardhme më të fortë, më të sigurt dhe më të begatë ku të kapemi. Duhet t’i përkushtohemi multilateralizmit me vendosmëri të ripërtërirë.
”Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, George Tsereteli, tha: “Sfidat globale duhet të adresohen në mënyrë kolektive dhe, në kohë krize, ne e shohim më qartë rëndësinë e organizatave shumëpalëshe si OSBE-ja. Pandemia e COVID-19 tregon që multilateralizmi është mënyra e vetme për të siguruar bashkëpunim të ngushtë midis Shteteve. Kjo është një qasje të cilën duhet ta forcojmë dhe ushqejmë, dhe për këtë parlamentet duhet të krijojnë politika për ta bërë multilateralizmin më funksional dhe efektiv, si dhe për të bashkëpunuar me qeveritë dhe ofruar mbikëqyrje ndaj tyre. Për të dalë më të fortë nga kjo krizë, dhe për të siguruar stabilitetin, të drejtat themelore të njeriut dhe zhvillimin demokratik, parlamentarët duhet të vazhdojnë të luajnë një rol kyç të rëndësishëm.”
Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Thomas Greminger, tha: “Normat ndërkombëtare dhe institucionet shumëpalëshe të krijuara në vazhdën e Luftës së Dytë Botërore dhe të ndërtuara prej 75 vitesh po vihen në provë si kurrë më parë. Ekonomia globale ka të ngjarë të hyjë në një fazë recesioni, e cila do të ketë ndikim të rëndë në punësimin në të gjithë botën. Zgjidhjet për sfidat e sotme shëndetësore, ekonomike dhe mjedisore kërkojnë një qasje shumëpalëshe të bazuar në një sistem. OSBE-ja qëndron e gatshme të bashkëpunojë me komunitetin e gjerë ndërkombëtar për të zhvilluar politika efektive, të cilat i përmbushin këto sfida dhe forcojnë sigurinë njerëzore për të gjithë.”
Roberto Montella, Sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, tha: “Për të parandaluar rrëshqitjen e sistemit ndërkombëtar drejt një ‘shteti anarkie,’ organizatat ndërkombëtare, si OSBE-ja, kanë për detyrë t’i ndihmojnë vendet që të punojnë së bashku, dhe parlamentet duhet të luajnë një rol kryesor. COVID-19 e ka goditur botën në një kohë kur multilateralizmi po shfaqte tashmë shenja dobësie, me tensionet gjeopolitike dhe mosbesimin që karakterizon marrëdhëniet ndërkombëtare. Rruga që duhet të ndjekim për të ecur përpara është më shumë bashkëpunim, më shumë solidaritet ndërmjet kombeve dhe qeverisje më demokratike brenda vendeve.”
“Pandemia e koronavirusit ka sjellë humbjen tragjike të jetëve dhe të sigurisë ekonomike për qytetarët në të gjithë zonën e OSBE-së. Fatkeqësisht, ka sjellë edhe shkelje të të drejtave të njeriut,” tha Ingibjörg Sólrún Gísladóttir, Drejtor i Zyrës së OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut. “Situata për shumë emigrantë është e rëndë. Ka pasur raste të fajësimeve raciste në disa vende, rritje të dhunës në familje dhe abuzime që rrjedhin nga gjendjet e jashtëzakonshme të emergjencës në lidhje me COVID. I bëj thirrje të gjitha qeverive të sigurojnë që të drejtat e njeriut të përkrahen plotësisht gjatë kësaj krize.
”Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Désir, tha: “Është veçanërisht e rëndësishme të sigurohet rrjedha e lirë e informacionit gjatë kësaj krize të jashtëzakonshme. Media ka një rol kyç në sigurimin e informacionit jetësor shëndetësor për publikun dhe në luftën kundër informacionit të rremë. Gazetarët duhet të jenë në gjendje të punojnë pa pasur pengesa dhe të raportojnë në lidhje me pandeminë pa kufizime të panevojshme. Ndaj plotësisht nevojën për të luftuar informacionin e rremë, siç është ai për kura të pavërteta. Sidoqoftë, kjo nuk do të arrihet përmes kufizimit të lirisë së mediave, por me më shumë transparencë dhe qasje në burimet pluraliste të informacionit. Unë u bëj thirrje të gjitha qeverive të sigurojnë qasjen në informacion dhe rrjedhën e lirë të informacionit, si dhe të drejtën e mediave për të raportuar në lidhje me pandeminë pa hasur pengesa.
”Komisioneri i Lartë i OSBE-së për Pakicat Kombëtare, Lamberto Zannier, ofroi rekomandime për qeveritë që të marrin në konsideratë përpjekjet e tyre për të luftuar përhapjen e COVID-19. “Teksa i përgjigjen këtij kërcënimi për shëndetin publik, qeveritë duhet të mos harrojnë të adresojnë nevojat e pakicave kombëtare dhe komuniteteve të tjera të margjinalizuara,” tha ai. “Personat që u përkasin pakicave kombëtare duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe masat emergjente nuk duhet të zbatohen në mënyrë diskriminuese. Shtetet duhet të ofrojnë shërbimet bazë në gjuhët e përdorura nga komunitete të ndryshme sa më shumë që të jetë e mundur, veçanërisht në kujdesin shëndetësor dhe në komunikimet në lidhje me krizën shëndetësore dhe reagimet zyrtare.”
Dita Ndërkombëtare e Multilateralizmit dhe Diplomacisë për Paqen u krijua me rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më 12 dhjetor 2018 si “një mjet për të promovuar vlerat e Kombeve të Bashkuara dhe për të riafirmuar besimin e popujve tanë në qëllimet dhe parimet e përcaktuara në Kartën e saj, për të ripohuar rëndësinë e multilateralizmit dhe të drejtës ndërkombëtare, dhe për të çuar përpara qëllimin e përbashkët të paqes së qëndrueshme dhe jetëgjatë përmes diplomacisë.”