Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mbledh bashkësinë ndërkombëtare për të diskutuar për zgjedhjet
TIRANË, 5 shkurt 2013 – Përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare në Tiranë u takuan sot, nën kujdesin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, për të shkëmbyer informacion dhe për të bashkërenduar qëndrimet e tyre lidhur me zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të caktuara për më 23 qershor.
Kryetarja dhe zëvendëskryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ishin ftuar për të marrë pjesë në takimin e Grupit Ndërkombëtar të Punës për Zgjedhjet dhe për të ofruar një pasqyrë të veprimtarive më të fundit të organit të administrimit të zgjedhjeve. Pjesëmarrësit i shprehën KQZ-së mbështetje të vijueshme për zbatimin e paanshëm të kornizës zgjedhore.
Kryetari i Prezencës së OSBE-së, Ambasadori Eugen Wollfarth, tha: “Është tejet e rëndësishme që të ketë një atmosferë bashkëpunuese në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, me pjesëmarrjen aktive të të gjithë anëtarëve”.
“Detyra e administratës së zgjedhjeve është të vërë në zbatim legjislacionin dhe procedurat përkatëse, në kohën e duhur dhe në mënyrë të paanshme, për të siguruar që zgjedhësit të kenë mundësinë që ta shprehin lirisht dhe me vërtetësi vullnetin e tyre në ditën e zgjedhjeve. Veprimet dhe deklaratat që mund të çojnë në politizimin e punës së administratës zgjedhore janë të kundërfrytshme dhe duhen shmangur. Të gjitha palët duhet të dëshmojnë vullnetin e duhur politik për zgjedhjet që po vijnë”.
Grupi Ndërkombëtar i Punës për Zgjedhjet është një forum i përfaqësuesve të Shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare në Shqipëri, i cili mblidhet periodikisht përpara zgjedhjeve për të shkëmbyer informacion dhe për të bashkërenduar qëndrimet. Një nga qëllimet kryesore të Grupit të Punës është të bashkërendojë projektet e bashkësisë ndërkombëtare të lidhura me zgjedhjet, për të shmangur dublimin dhe për të maksimizuar efikasitetin e tyre.