Prezenca e OSBE-së ndihmon të rinjtë me aftësi të kufizuar në Shqipëri
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri përmbylli, më 30 janar 2013, një projekt që synonte të ndihmonte të rinjtë me aftësi të kufizuara për t’i mbrojtur me më efektshmëri të drejtat e tyre dhe për t’u përfshirë më shumë në jetën publike.
Projekti u përqendrua në forcimin e kapaciteteve të Forumit Rinor të Aftësisë së Kufizuar – një grupim aktivistësh të rinj në fushën e aftësisë së kufizuar, ngritur në fund të 2011-s, me mbështetjen e OSBE-së dhe organizatave të tjera.
Pjesëtarët e Forumit u trajnuan për çështje të advokimit dhe lobimit, punës me median, institucionet shtetërore dhe aktorë të tjerë kyç, thithjen e fondeve, si dhe për përgatitjen dhe zbatimin e projekteve. Gjithashtu, Prezenca e mbështeti Forumin në organizimin e dy konferencave kombëtare, që synuan të rrisin ndërgjegjësimin e publikut për të drejtat e të rinjve me aftësi të kufizuara, si dhe mundësoi një studim për sfidat që ata hasin – i pari i këtij lloji në Shqipëri.
Si pjesë e projektit, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, e ndihmuar nga Misioni i OSBE-së në Malin e Zi, organizoi, në janar, një udhëtim studimor për pjesëtarët e Forumit dhe përfaqësues të autoriteteve shqiptare dhe të parlamentit, në Podgoricë, që përfshiu vizita në parlament, në Zyrën e Ombudsmanit, në ministritë përkatëse dhe organizata të shoqërisë civile, për të mësuar nga përvoja malazeze dhe për të përmirësuar shtrirjen rajonale të Forumit.
Projekti ishte pjesë e mbështetjes që Prezenca e OSBE-së në Shqipëri i jep promovimit të qeverisjes demokratike dhe organizatave të shoqërisë civile, veçanërisht të atyre që punojnë për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar.