Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri takohet me koalicionin e vëzhguesve vendorë të zgjedhjeve
TIRANË, 27 nëntor 2012 – Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Eugen Wollfarth, u takua sot me përfaqësues të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë, për të diskutuar veprimtaritë e planifikuara përpara zgjedhjeve parlamentare të 2013-s.
Wollfarth e përgëzoi përfshirjen e Koalicionit në vëzhgimin e përgatitjeve dhe zhvillimit të zgjedhjeve. “Unë e shoh pjesëmarrjen aktive të shoqërisë civile në procesin zgjedhor si thelbësore për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies, rrjedhimisht për krijimin e besimit në procesin zgjedhor”, tha ai. “Vëzhgimi vendor i zgjedhjeve plotëson përpjekjet ndërkombëtare në këtë fushë. Të dyja mbështesin të njëjtin qëllim: atë të sigurimit që zgjedhjet të jenë vërtet demokratike dhe kuptimplota”.
Ai shtoi se Prezenca e OSBE-së në Shqipëri do të vijojë ta mbështesë shoqërinë civile.
Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë është një aleancë organizatash joqeveritare dhe jopolitike, që kanë për qëllim zhvillimin e demokracisë në Shqipëri. Koalicioni ka monitoruar dhe ka përgatitur raporte për proceset zgjedhore që nga viti 2003.