Prezenca e OSBE-së promovon bashkëpunimin mes Shërbimit të Provës dhe qeverisjes vendore
Një konferencë për forcimin e bashkëpunimit mes Shërbimit të Provës dhe organeve të qeverisjes vendore u mbajt sot, më 13 nëntor 2012, në Tiranë. Veprimtaria u organizua nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Shërbimi i Provës.
Në të merrnin pjesë Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi, Ministri i Brendshëm Flamur Noka, Drejtori i Shërbimit të Provës Arben Sefgjini, kryetarë bashkish e komunash dhe kryetarë të këshillave të qarqeve nga mbarë vendi. Konferenca shënoi përmbylljen e një sërë trajnimesh për çështjet e lidhura me shërbimin e provës, që Prezenca organizoi gjatë këtij viti.
“Synimi i këtyre veprimtarive është bërja e përparimeve në rehabilitimin e shkelësve të ligjit dhe riintegrimin e tyre në shoqëri, duke filluar nga komunitetet ku ata banojnë,” tha ambasadori Wollfarth duke iu drejtuar të pranishmëve. “Përfshirja shoqërore e shkelësve të ligjit përmes masave në komunitet është një hap përpara për garantimin e sigurisë së komuniteteve dhe parandalimin e krimeve të tjera”.
Konferenca bën pjesë në një projekt më të gjerë të Prezencës së OSBE-së për rritjen e efektshmërisë së sistemit të shërbimit të provës në Shqipëri përmes zgjerimit të njohurive të punonjësve të shërbimit të provës dhe punonjësve socialë dhe përmirësimit të bashkëpunimit mes të gjithë aktorëve.