Prezenca e OSBE-së ndihmon për shkatërrimin e armatimit të tepërt në Shqipëri
ELBASAN, Shqipëri, 1 tetor 2012 – Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, premtoi mbështetje për shkatërrimin e armatimit të tepërt të mbetur gjatë vizitës së sotme në uzinën ushtarake të Mjekësit në Elbasan, Shqipëria e mesme.
Ambasadori Wollfarth, i cili e vizitoi Uzinën së bashku me Ministrin e Mbrojtjes së Shqipërisë Arben Imami, theksoi se përfundimi i procesit të shkatërrimit të municioneve të tepërta në vitin 2013, siç parashikohet në planin e veprimit për çmilitarizimin, është vendimtar për sigurinë e qytetarëve brenda vendit dhe me tutje.
“Lëndët e rrezikshme kimike, municionet e vjetra dhe armët e vogla, për sa kohë që ekzistojnë, përbëjnë një rrezik të vazhdueshëm për mirëqenien e qytetarëve shqiptarë,” tha ai. “Procesi i çmilitarizimit do të thotë forcim i paqes dhe sigurisë në Shqipëri dhe në mbarë rajonin, dhe ne jemi të angazhuar për t’i mbështetur më tej autoritetet në këtë drejtim.”
Në kuadër të kësaj veprimtarie, Prezenca e OSBE-së i dhuroi uzinës shtatë kamera sigurie, një videoregjistrues dixhital dhe një monitor.
“Është e rëndësishme që punëtorët ta kryejnë punën e tyre në kushte sa më të larta sigurie dhe për këtë jemi të lumtur që mund t’i kontribuojmë rritjes së sigurisë për punonjësit e uzinës,” tha Wollfarth.
Ai shtoi se Prezenca e OSBE-së po shqyrton se si t’i ofrojë asistencë shtesë Ministrisë së Mbrojtjes edhe për shkatërrimin e armëve të vogla dhe të lehta.
Pas shpërthimit vdekjeprurës të municioneve në Gërdec, në vitin 2008, Prezenca, me mbështetjen financiare të vendeve pjesëmarrëse të OSBE-së, e ka ndihmuar Shqipërinë në përpjekjet e saj për të shkatërruar në mënyrë të sigurt municionet e tepërta konvencionale dhe kimikatet e rrezikshme toksike. Prezenca ka ndihmuar në shkatërrimin e 34 tonë karburanti raketash dhe 120 tonë dikloroetani, një lëndë kimike e rrezikshme kjo, si dhe ka siguruar pajisje për çarmatimin e municioneve të tepërta.