Prezenca e OSBE-së dhe Ministria e Punës organizojnë një takim të nivelit të lartë për forcimin e 'punonjësve të barazisë gjinore' në Shqipëri
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Mundësive të Barabarta organizuan më 2 maj 2012 një takim të nivelit të lartë për forcimin e kapaciteteve institucionale të 'punonjësve të barazisë gjinore' në nivel qendror dhe vendor në Shqipëri.
Aktiviteti i organizuar në formën e një tryeze të rrumbullakët kishte si qëllim mbështetjen e përpjekjeve për shtimin e numrit të punonjësve zyrtarë të barazisë gjinore në nivel qendror dhe vendor.
Në këtë aktivitet u paraqitën konstatimet dhe rekomandimet e një Raporti Analitik të Situatës mbi Punonjësit e Barazisë Gjinore në Shqipëri, mbështetur nga Prezenca e OSBE-së. Sipas këtij raporti, gjatë viteve të fundit janë arritur rezultate pozitive ndërkohë që është bërë i mundur identifikimi i sfidave të tjera që mbeten për t'u kapërcyer, si institucionalizimi i posteve të punonjësve të barazisë gjinore dhe shtimi i numrit të tyre.
“Punonjësit e barazisë gjinore luajnë një rol vendimtar në mbështetjen e zhvillimit të politikave dhe programeve të institucioneve të tyre nga këndvështrimi gjinor,” tha Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth.
“Integrimi gjinor mund të jetë i suksesshëm vetëm nëse qeveria, Këshilli Kombëtar për Barazinë Gjinore, kryetarët e njësive të qeverisë vebdore dhe punonjësit e barazisë gjinore janë të gjithë pjesë e procesit. Tashmë është koha që të finalizohet procesi i emërimit të punonjësve të barazisë gjionore dhe të forcohen lidhjet midis tyre, ministrive, Këshillit Kombëtar dhe kryetarëve të njësive të qeverisë vendore.”
Ligji për Barazinë Gjinore, miratuar në vitin 2008, sanksionoi ngritjen dhe fuqizimin e punonjësve të barazisë gjinore me kohë të plotë dhe parashikonte krijimin e një Këshilli Kombëtar për Barazinë Gjinore si organin kryesor monitorues dhe këshillues të shtetit për çështje dhe politika që lidhen me barazinë gjinore. Ligji përbën një pjesë të përpjekjeve të bëra vitet e fundit në Shqipëri për integrimin e barazisë gjinore në të gjitha sferat e jetës publike.
Në takim folën edhe Ministri i Punës Spiro Ksera dhe Ministri i Brendshëm Bujar Nishani. Pjesëmarrës në takim ishin edhe Zëvendësministri i Mbrojtjes, Punës, Integrimit Evropian, Arsimit, Financave dhe Zëvendësministri i Brendshëm, si dhe Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi.