Prezenca e OSBE-së organizon një tryezë të rrumbullakët për lëndën e edukatës qytetare
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, organizoi sot, më 13 dhjetor, një tryezë të rrumbullakët për lëndën e edukatës qytetare. Veprimtaria u zhvillua në kuadrin e një projekti që ka për synim nxitjen e qytetarisë aktive në vend përmes sistemit arsimor, i cili merr parasysh arritjet e tanishme, si dhe mungesat e vërejtura në sistemin arsimor shqiptar.
Në takim u paraqit një propozim për reformimin e kurrikulës së edukatës qytetare, i mbështetur nga Prezenca në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. “Po e prezantojmë këtë propozim me synimin për të përmirësuar edukimin qytetar për të rinjtë, me qëllim që ata të jenë qytetarë më të informuar, më të suksesshëm dhe më të përgjegjshëm”, tha Kryetari i Prezencës, Ambasadori Eugen Wollfarth. “Demokracitë ruhen nga qytetarët, që kanë njohuritë dhe aftësitë e duhura. Sa më shumë qytetarë të kenë këto dije dhe aftësi, aq më e qëndrueshme mund të jetë demokracia. Edukimi qytetar është një proces që përparon dhe zhvillohet në mënyrë të vazhdueshme”.
Propozimi i paraqitur është hartuar në bazë të përfundimeve dhe rekomandimeve kryesore të përfshira në një raport vlerësues për kurrikulën dhe metodave mësimore të edukatës qytetare për nxënësit e klasave të nënta dhe të dhjeta, i realizuar gjatë vitit 2010, me mbështetjen e Prezencës, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit.
Në këtë veprimtari, merrnin pjesë zëvendësministrja e Arsimit Nora Malaj, zëvendësministrja e Integrimit Grida Duma, Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi Irma Baraku, përfaqësues të Institutit për Zhvillimin e Arsimit dhe Drejtoritë Rajonale Arsimore, organizatat e shoqërisë civile që luajnë rol aktiv në fushën e të drejtave të njeriut dhe edukatës qytetare, si dhe autorë tekstesh mësimore dhe të kurrikulës të lëndës së edukatës qytetare.