Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ndihmon në rritjen e ndërgjegjësimit në luftën kundër diskriminimit
Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, i dorëzoi Komisioneres për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Irma Baraku, disa materiale informuese kundër diskriminimit, të financuara nga Prezenca e OSBE-së, më 25 nëntor 2011.
“Këto materiale do të jenë një mjet i nevojshëm në luftën kundër diskriminimit. Shqipëria ka ndërmarrë disa hapa të rëndësishëm në drejtimin e duhur. Miratimi i ligjit Për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe ngritja e Zyrës së Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi janë dy shembuj të mirë”, tha Wollfarth.
Dosja e materialeve përfshin broshura dhe një audio CD për ligjin kundër diskriminimit, si dhe fletëpalosje ku shpjegohen detyrimet dhe të drejtat sipas këtij ligji, të gjitha të botuara në shtatë gjuhë, si dhe në Braille. Punimet artistike të fëmijëve të shkollave nëntëvjeçare për temën e anti-diskriminimit, të botuara në një broshurë të titulluar “Të ndryshëm, por të barabartë”, janë pjesë e kësaj dosjeje. Materialet u drejtohen aktorëve kryesorë në këtë fushë, personave në rrezik diskriminimi, si dhe publikut të gjerë.
Prezenca ka punuar nga afër me autoritetet kombëtare për hartimin e ligjit kundër diskriminimit, si dhe ka mbështetur ngritjen e Zyrës së Komisionerit.
Kopje elektronike të broshurave mund të shkarkohen nga faqja e Komisionerit në internet (www.kmd.al), e cila u krijua, gjithashtu, si pjesë e projektit të Prezencës për të parandaluar dhe luftuar diskriminimin në Shqipëri.