Nxënësit takohen me drejtuesit më të lartë të shtetit si pjesë e projektit të OSBE-së për edukatën qytetare
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, organizoi sot, më 4 nëntor, një vizitë studimore të 50 nxënësve të klasave të nënta dhe të dhjeta nga Vlora, Kukësi dhe Tirana, gjatë së cilës ata u takuan me Presidentin Bamir Topi, Kryeministrin Sali Berisha, Kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli dhe Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja.
“Shqipëria është një vend me demokraci dhe popullsi të re. Ajo ka nevojë për qytetarë aktivë për të ndërtuar të ardhmen e saj dhe edukimi është thelbësor për zhvillimin e një qytetarie aktive. Frymëzimi vjen përmes përvojës së drejtpërdrejtë dhe kjo vizitë studimore është një mundësi e shkëlqyer për këta të rinj që të takohen personalisht me udhëheqësit e tyre,” tha Kryetari i Prezencës së OSBE-së, Ambasadori Eugen Wollfarth.
“Prezenca e OSBE-së po ndihmon në reformën e kurrikulës dhe unë kam besimin e patundur se këto reforma do ta fuqizojnë ndjeshëm edukimin qytetar në vend”, shtoi ai.
Vizita studimore është pjesë e një projekti të Prezencës për ndërtimin e qytetarisë aktive. Në kuadër të projektit, është bërë një vlerësim i kurrikulës së edukatës qytetare dhe mënyrave të mësimdhënies, si dhe do të hartohet një projekt-reformë, së bashku me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe Institutin e Zhvillimit të Kurrikulës.