OSBE, SHBA dhe BE nxisin autoritetet shqiptare të hetojnë largimin me dhunë të familjeve rome dhe t'u ofrojnë ndihmë të shpërngulurve
TIRANË, 16 mars 2011 – Ambasadori Eugen Wollfarth, Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Alexander Arvizu, Ambasador i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Ambasadori Ettore Sequi, Shefi i Delegacionit të BE-së në Shqipëri lëshuan sot një deklaratë për shtyp në lidhje me incidentet e kohëve të fundit me familjet rome:
“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, Ambasada e SHBA-së në Tiranë dhe Delegacioni i BE-së në Shqipëri janë në dijeni se gjatë javës së datës 20 shkurt 2011, dhjetëra familje rome janë larguar me forcë nga vendqëndrimi i tyre në qendër të Tiranës nga persona të paidentifikuar, të cilët u vunë zjarrin strehëve ku ata jetonin dhe i përzunë nga shtëpitë e tyre".
"Ne vërejmë se si pasojë e këtyre veprimeve pati lëndime të rënda dhe një numër i madh njerëzish, duke përfshirë edhe fëmijë, u detyruan të zhvendoseshin nga vendbanimi.
Ne vërejmë se Shqipëria është angazhuar zyrtarisht ndaj objektivave të Deklaratës për Dekadën e Përfshirjes së Romëve dhe ka ratifikuar Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës, Konventën për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminit Racor dhe Konventën për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit kundër Grave.
"Ne theksojmë se Shqipëria është angazhuar të zbatojë Planin e Veprimit për Përmirësimin e Situatës së komuniteteve Rome e Sinti në Zonën e OSBE-së, si dhe Vendimin e Këshillit të Ministrave 2009 për Shtimin e Përpjekjeve të OSBE-së për Integrim të Qëndrueshëm të komunitetit Romë e Sinti. Miratimi i këtij vendimi nga Shtetet anëtare të OSBE-së, duke përfshirë edhe Shqipërinë, tregon angazhimin e këtyre vendeve për të luftuar diskriminimin dhe racizmin e treguar ndaj Romëve dhe Sintit, madje edhe nëpërmjet medias.
"Komisioni Europian ka identifikuar, në Opinionin e tij për aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim, luftën kundër diskriminimit dhe mbrojtjen e të drejtave të Romëve si fusha prioritare të cilave u duhet kushtuar vëmendje e veçantë nga autoritetet.
"Në këtë frymë, ne u bëjmë thirrje autoriteteve përkatëse të ndërmarrin veprimet e duhura për hetimin e ngjarjeve shqetësuese të shkurtit, për të siguruar që veprime të tilla të mos përsëriten më. Ne i inkurajojmë autoritetet të marrin hapat e duhur për të siguruar asistencën e nevojshme sociale, duke përfshirë strehim, për ata njerëz të cilët kanë mbetur të pastrehë.
"Ne kemi besimin që shumica e qytetarëve janë kundër akteve të tilla dhune ndaj grupeve minoritare.
“OSBE, SHBA dhe BE bashkohen me përfaqësuesit e shoqërisë civile në thirrjen për t'i dhënë fund diskriminimit dhe dhunës kundër familjeve dhe fëmijëve romë.