Policia e Shtetit do të trajnojë kolegët në Afganistan pas kursit të mbështetur nga ICITAP-i dhe Prezenca e OSBE-së
TIRANË, 25 shkurt 2011 – Instruktorë të policisë shqiptare përfunduan sot një kurs të mbështetur nga OSBE-ja, i cili do t’i mundësojë të shkojnë në Afganistan verën e ardhshme për të trajnuar policinë afgane për teknikat bazë të policimit.
Programi Ndërkombëtar i Ndihmës së Trajnimit të Hetimit Kriminal i Shteteve të Bashkuara (ICITAP), Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Qendra për Zhvillimin Policor Organizuan kursin njëjavor për 17 instruktorë policie, zhvilluar në Tiranë.
“Dërgimi i instuktorëve të Policisë së Shtetit në një detyrë sfiduese si ajo në Afganistan shënon dukshëm një arritje të madhe për Policinë e Shtetit shqiptar dhe dëshmon profesionalizmin dhe kapacitetin e saj”, tha Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, gjatë ceremonisë së sotme, në të cilën mori pjesë edhe Ministri i Brendshëm Lulzim Basha.
Konsullja e SHBA-së, Lyra Carr, tha: “Pesë prej të diplomuarve të sotëm do të përzgjidhen për të vazhduar trajnime të mëtejshme me NATO-n dhe ushtrinë amerikane. Më pas, ata do të trajnojnë policinë afgane në një kurs bazë tetë-javor. Jam e bindur se këta trajnues do ta përfaqësojnë me krenari vendin dhe profesionin e tyre”.
Po sot, 23 pjesëtarë të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm (SHKB) të Ministrisë së Brendshme përfunduar një kurs trajnimi njëmujor mbi hetimin. Kursi ishte i treti i këtij lloji. Në një kurs të katërt, në prill 2011, do të trajnohet grupi i fundit i të tetëdhjetë oficerëve të SHKB-së.