Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri u bën thirrje partive politike të respektojnë Kodin Zgjedhor dhe të propozojnë komisionerët zgjedhorë
TIRANË, 8 shkurt 2011 – Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, u bëri thirrje partive politike sot t'i dorëzojnë urgjentisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) propozimet e kërkuara për anëtarë të Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor me qëllim përgatitjen siç duhet të zgjedhjeve për qeverinë vendore.
Ai theksoi se në bazë të Kodit Zgjedhor dhe të dekretit të Presidentit të Republikës, KQZ-ja duhet të vazhdojë urgjentisht me të gjitha përgatitjet e nevojshme për zgjedhjet e planifikuara për 8 maj 2011. Ai vuri në dukje se asnjë nga partitë politike nuk ka arritur të përmbushë afatin zyrtar të 24 janarit 2011 për dërgimin e propozimeve për anëtarë të komisioneve zgjedhore.
"Jam jashtëzakonisht i shqetësuar në lidhje me problemet që po has aktualisht KQZ-ja. Nga 66 Komisione të Zonave të Administrimit Zgjedhor, vetëm 12 prej tyre janë ngritur pjesërisht brenda afatit të 7 shkurtit 2011,” tha Wollfarth. “Një situatë e tillë tregon një shpërfillje të hapur për aspiratat demokratike të qytetarëve shqiptarë nga partitë politike. Unë u bëj thirrje partive politike të respektojnë të drejtën e qytetarëve për të votuar dhe për ta adresuar këtë çështje në mënyrë të menjëhershme, pasi dita e zgjedhjeve po afron.”